“Më jepni timonin”. Ishte kjo kërkesa e kryeministri Edi Rama në zgjedhjet e 2017-s. E të njëjtën kërkesë, kreu i qeverisë e ka përsëritur edhe për zgjedhjet që do të zhvillohen më 25 Prill.

Rama tha se kërkon të jetë vetëm në qeveri në mënyrë që të garantojë që brezat e rinj të rriten në Shqipëri.

“Po hyrja në universitet? Me platformën sot si është? Po kur ishte? Para 700 vjetësh? Para 70 vjetësh? Para 27 vjetësh? Jo, jo, deri përpara disa vjetësh, koha kur na u hodhën në fyt, e para u hodh në fyt LSI-ja me Monikën që tundi dheun për stresin që po i krijohej maturantëve. Në fakt, ishte stresi që iu krijua LSI-së. Sepse nuk mundej më të fuste në universitet kë të donte, nuk mundej më që certifikatë hyrje për në universitet të kishte teserën e LSI-së dhe jo rezultatet e secilit të paprekshme. 

Sa shumë keni vuajtur të gjithë ju që ngisni makinën? Këtu unë nuk mund të flas në emrin tuaj se unë nuk e ngas makinën, unë një timon kam, atë që më dhatë në 2017 dhe që jua kërkoj përsëri, jo për vete, por për ju dhe sepse dua që im bir, i vogli dhe gjithë bashkëmoshatarët e tij të rriten këtu e të jenë krenar këtu për shtëpinë e tyre dhe kur ta lënë shtëpinë e tyre, ta lënë sepse kanë dëshirë të shkojnë diku tjetër, jo sepse nuk i mban dot shtëpia e tyre, për këtë e dua unë timonin.

E pra, timonin e makinave e keni ju, jo unë. Sa keni hequr me atë DPSHTRR, për lejet e qarkullimit, për gjithë ndërveprimet? Si i bëni sot? Revolucion! Po kush i bëri, Bill Gates? Apo i solli koha? Se disa thonë, i solli koha. Po pse i solli koha kur në drejtim jemi ne? Pse nuk i solli kur në drejtim ishin ata? Apo nuk ishte shpikur interneti? Sa herë e keni dëgjuar Shqipërinë digjitale? Shqipërinë internetuale, Shqipërinë mikrosuperfuqi globale, energjetike dhe solare? Ku ishin? Janë po ata që duan sot të rikthehen”, tha Rama.