Kryeministri Edi Rama është shprehur këtë të hënë se Kodi Zgjedhor do të votohet sërish në Parlament pa asnjë ndryshim.

Në një deklaratë për mediat pas takimit me drejtuesit e PS në qarqe, Rama tha se askush nuk mund të vë në diskutim vullnetin e Parlamentit.

“Do ta votojmë sa më shpejt kur të caktohet seanca e votimit pa asnjë ndryshim, pikë dhe presje. Do ta votojmë Kodin siç është votuar nga parlamenti me një shumicë që është kuptimplotë dhe askush nuk mund të verë në diskutim vullnetin e parlamentit, aq më tepër Ilir Meta”, tha kreu i qeverisë.

Ai u pyet dhe për sugjerimin e Rudina Hajdarit për një mbledhje të Këshillit Politik, por u përgjigj shkurt duke përsëritur se Kodi Zgjedhor nuk do pësojë asnjë ndryshim.

Pak ditë më parë Presidenti Ilir Meta, ashtu siç kishte premtuar ka kthyer në Kuvend për rishqyrëtim Kodin Zgjedhor dhe është shprehur se do kërkojë dhe mendim nga Komisioni i Venecias.