Kryeministri Edi Rama mori pjesë në një konferencë të OSBE-së për gazetarinë në Europën Juglindore. Kreu i qeverisë e përmendi që në nisje të fjalës së tij se për shkak të opinioneve që ka shprehur prej kohësh kundër lajmeve të rreme mund të mos jetë personi i duhur për të folur në këto takime ku në fokus kanë gazetarinë.

“Më duhet të pranoj se nuk jam saktësisht njeriu i duhur për t’u ftuar në këto lloj takimesh për shkak të opinioneve të mia që ndryshojnë nga ato që janë politikisht korrekte, kur bëhet jo për lirinë e medias, por për mënyrën se si në emër të kësaj lirie shumë gjëra që shkojnë kundër këtij koncepti të lirisë ndodhin. Po i referohem përhapjes në internet të lajmeve të rreme, të sjelljeve të priren të jenë kundër lirisë së njerëzve të tjerë dhe priren të jenë kundër të drejtave të njerëzve të tjerë”.

Kreu i qeverisë tha se liria e përhapjes së lajmeve në internet ka minuar në një lloj mënyre lirinë e fjalës. Ai u shpreh se ditët e sotme gënjeshtrat, akuzat e shpifjet janë kthyer në një problem të madh.

“Mendoj që kur vjen fjala për median në internet, liria e përhapjes së kësaj mediaje ka minuar një farë soji lirinë e fjalës dhe liria e përhapjes nuk mund të jetë njësoj me lirinë e fjalës. Duhet punë se si të rregullohet kjo hapësirë kaotike kur të vërtetat dhe gënjeshtrat janë bërë bashkëshoqëruese dhe të vërtetat e gënjeshtrat bashkëjetojnë duke e bërë të vështirë ndonjëherë dallimin mes tyre. Nuk mendoj se mënyra më e mirë është t’i largohesh sfidës dhe të thuash që në emër të lirisë na duhet thjesht të bëjmë durim me këtë sasi gënjeshtrash, akuzash, shpifjesh, apo shantazhesh që ditët e sotme janë kthyer në një problem të madh”.

Rama u shpreh se media online duhet të rregullohet njësoj si televizionet dhe gazetat. Por u shpreh i pasigurtë nëse vetërregullimi është zgjidhja e problemeve në mediat online.

“Mendoj se ta lesh të patrajtuar dhe thjesht të predikosh për lirinë përballë këtyre valëve shkatërrimtare nuk është përgjigja. Nuk e kam përgjigjen sepse ndoshta do të kisha fituar edhe unë një çmim Nobel, por nuk e kam. Respektoj shumë ata gazetarë që kanë respekt për veten dhe misionin e tyre, luftojnë për të vërtetën deri në fund duke u përballur me regjime brutale dhe të rrezikshme. Sidoqoftë nuk jam optimist duke parë atë që ndodh sepse nuk kuptoj pse televizionet apo gazetat duhet të rregullohen dhe janë të rregulluara dhe media online të mos mundet të rregullohet. Dëgjoj në mënyrë të qartë e të fortë lidhur me të ashtuquajturin vetërregullimin. Nuk jam i sigurt që vetërregullimi është përgjigja përkundrejt shpejtësisë. Sepse shpejtësia është përtej kufijve të imagjinatës së qenies njerëzore kur vjen fjala për vëllimin që duhet përpunuar për të parandaluar këtë përhapje apo edhe idesë për të klikuar dhe për t’u thënë njerëzve ç’ka. Ka një nevojë të jashtëzakonshme për integritetin e të vërtetës dhe për integritetin e vetë medias. Pa pasur përgjigjen do ndalem këtu pasi mendoj se kam thënë mjaftueshëm për t’u sulmuar sërish”, tha Rama.

Kryeministri tha se është kriminale se çfarë dëmi u shkaktohet qytetarëve të thjeshtë, por edhe zyrtarëve ndaj të cilëve shpifet. Sipas tij, dëmi është bërë edhe pasi këto çështje dërgohen në gjykatë.

“Po të shkojmë tek njerëzit normal, çfarë dëmi u shkakton atyre është e papërballueshme, është kriminale sepse kur je politikan, kur je zyrtar, kur mban një detyrë mund ta stërvitesh veten t’i mbijetosh dhe t’i thuash vetes “ja kështu janë gjërat” siç thotë legjendari Donald Trump sepse të gjitha mënyrat për të kundërsulmuar janë mënyra potencialisht rrezik për veten, pasi përcaktohesh si njeri kundër lirisë së fjalës. Kur sheh familjen, të afërmit, familjen e të tjerëve që shpifen, shkon në gjykatë, dhe duhen vite që gjykata ta përfundojë çështjen, por dëmi është bërë. Ndaj kur mendon që kapaciteti për këto gënjeshtra që të lejohen dhe të dëgjohen janë më të mëdha se kapaciteti i të vërtetës për t’u dëgjuar dhe lexuar shndërrohet në një makth të mirëfilltë”, tha Rama.