Kryeministri Edi Rama ka marrë këtë të martë dozën e dytë të vaksinës Covid. Gjatë komunikimit me mjekët, Rama tha se nuk ka pasur asnjë efekt anësor për shkak të vaksinës.

Në po të njëjtën kohë, vaksinën e mori edhe drejtoresha e Infektivit, Najada Çomo, e cila është personi i parë që u vaksinua në Shqipëri me vaksinën antiCovid.

Procesi i vaksinimit në Shqipëri nisi më 11 Janar dhe kryhet në ambientet e stadiumit “Air Albania” në kryeqytet.

Ndërkohë mbrëmjen e së hënës, në Shqipëri arritën dozat e para në bazë të kontratës me kompaninë Pfizer. Janë 1170 doza që kanë ardhur dhe do të përdoren për ata që kanë marrë dozën e parë. Kryeministri tha se këto doza do të përdoren edhe për grupet e riskut.

Po ashtu kryeministri bëri me dije se brenda muajit Shkurt do të vijnë të tjera doza. Kreu i qeverisë ka paralajmëruar edhe një marrëveshje të mundshme me AstraZeneca duke thënë se po vijojnë negociatat me ta.

Deri më tani në Shqipëri janë vaksinuar rreth 660 mjekë dhe infermierë.