Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, ndau detaje në lidhje me takimin që zhvilloi në Vatikan me Papa Franceskun, me rastin e 30 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Kreu i qeverisë, shkruan se Ati i Shenjtë foli me dashuri për shqiptarët dhe për rolin e tyre, si faktor paqeje në rajon.

Rama tregon se bisedoi me Papa Françeskun dhe për destinacionin e ri të pelegrinazhit që do të ngrihet në nder të shenjtores Nënë Tereza.

“Papa Françesku flet për Shqipërinë dhe shqiptarët me një dashuri të posaçme, ruan të freskët kujtimin e vizitës së tij të parë jashtë Vatikanit në Shqipëri, shpreh mirënjohje për rolin e Shqipërisë si faktor paqeje në rajon, po edhe si një vend e një popull model solidariteti njerëzor, qysh me shpëtimin e hebrenjve e deri në ditët tona me mikpritjen për refugjatët afganë dhe përcjell bekimet e tij për të gjithë shqiptarët, duke përshëndetur gjithashtu bashkëpunimin më të ri mes Selisë së Shenjtë dhe Qeverisë Shqiptare, për krijimin e destinacionit të pelegrinazhit me përmendoren e me tempullin kushtuar Shenjtores Shqiptare, Nënë Tereza, në Tiranë”, shkruan kryeministri.