Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot se gjysma e fëmijëve që kanë mbetur në kampet e Sirisë janë shpëtuar. Në një ceremoni, ku ka nderuar Gjeneral Major Abbas Ibrahim me Yllin e Madh të Medaljes së Kryeministrit për Mirënjohje Publike, tha se operacionet do të vijojnë.

Kreu i qeverisë falënderoi gjeneralin libanez për punën e bërë për shpëtimin e shqiptarëve nga kampet e ferrit.

“Operacione njëri më i vështirë së tjetri, me problematika komplekse që shfaqen në terren nga grupe të rrezikshme që shfaqen në ato territore. Sot sidoqoftë, Alvin Berisha, Endrit Dumani dhe shumë të tjetër marrin frymë në atdheun e tyre fal dikujt që u bë për a një prind i panjohur në distancë, po më shumë se një prind që ishte shkaktari i çuarjes së tyre në atë ferr”, tha Rama.

Më tej duke folur për operacionet e shpëtimit të fëmijëve dhe grave shqiptare që kanë mbetur në kampe, shtoi se situata është përkeqësuar por puna do të vijojë.

“Sot më shumë se kurrë njerëzit e kanë të qartë absurditetit dhe aspektin çnjerëzor të futjes në rrugën e ekstremizmit. Sot bazuar në të dhënat mbi të cilat ne punojmë, ne kemi nxjerr prej andej më shumë se gjysmën e personave. Vazhdon përpjekja ashtu siç janë rritur dhe përgjegjësit, pasi në kampe është përkeqësuar situata. Unë dua ta falënderoj gjeneralin për kurajën që na ka dhënë, për marrjen e zotimit për të shpëtuar ata fëmijë. Dhe jo vetëm kaq, por dua ta falënderoj se ka krijuar kushte optimale të sigurisë fizike të personelit shqiptar që kanë shkuar në Liban. Po ashtu ka ndihmuar operacionet dhe me kapacitetin e tij ndikues dhe aktorët e tjerë politikë. E gjithë kjo ka sjell që marrëdhëniet tona me Libanin të marrin një përmasë miqësore të përgjithshme”, tha Rama.

Ndërsa Gjenerali Major Abbas Ibrahim u shpreh se do të shfrytëzojnë çdo mundësi për të liruar këdo që mbahen peng në kampet e Sirisë.

“Është një nder që të marr pjesë në këtë ceremoni me vlerësim për vlerën e lirisë. Shqipëria ka vuajtur nga katastrofa e terrorizmit në botë. Shqipëria si shoqëri ka paguar një çmim të lartë gjatë 2 apo 3 viteve ku gra dhe fëmijë u morën dhe fati i tyre ishte i panjohur. Bisedimet nuk kanë qenë të lehta dhe shkalla e vuajtjes kanë qenë të jashtëzakonshme.

Dua të siguroj nga ku jam tani si edhe kudo të jem që ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për të negociuar për lirimin e çdo personi të mbajtur peng pavarësisht vështirësive me të cilat përballemi pavarësisht rrezikut që stafi ynë përballet në terren. Ne kuptojmë se ç’vlerë ka liria dhe ndjesinë e sigurisë dhe njohim shumë mirë tragjeditë e arrestimit dhe këtu dua t’i shpreh falenderimin Kryeministrit Edi Rama dhe të gjithë zyrtarëve. Me këtë rast bëj thirrje për lirimin e të gjithë të burgosurve në botë dhe lirimin e njerëzve nga terrori dhe frika”, tha ai pasi u nderua nga Kryeministri Rama me Yllin e Madh të Medaljes për Mirënjohje Publike.