Nga Vlora ku mbylli fushatën elektorale, kryeministri Edi Rama shënjestroi sërish Presidentit Ilir Meta, të cilin e quajti turp kombëtar dhe tha se vlonjatët të dielën do t’i tregojnë se nuk ka parë gjë akoma.

“Unë kam ardhur zakonisht në mitingje, njerëzit janë mësuar të thonë si ky miting nuk kam parë. Por unë sot e kuptova që nga Vlora s’kam parë gjë akoma. Dhe unë sot ju kërkoj ju që jeni këtu dhe të gjithë atyre që përpara se të jenë socialistë, demokratë, të majtë, të djathtë, të kënaqur, të pakënaqur, janë vlonjatë që të dielën t’i tregojnë tërë Shqipërisë, e sidomos atij turpi kombëtar që quhet President, që nuk ka parë gjë akoma!

Kur më pyeti një ditë Damiani, më tha ore tha s’po e marr vesh, na mbeti Likja në Vlorë. I thashë është ajo puna e derës së xhamisë, ka vajtur tek dera e xhamisë dhe më 25 Prill Vlora do t’ia lerë gjithmonë historisë, atë, Saliun, Lulin, Monikën dhe tërë paçavuret që në 30 vjet na janë qepur nga prapa si fantazma të të shkuarës”.

Rama u bëri thirrje simpatizantëve që t’i tregojnë Metës se “Vlora ka vendosur të ngjitet dhe kush vjen ta kapë nga këmbët, thyen hundët në Vlorë”.

“Tregojini Ilir Metës që herë tjetër kur të flasë për Vlorën, të numërojë deri në 12. Tregojini që Vlora ka vendosur të ngjitet dhe kush vjen ta kapë nga këmbët, thyen hundët në Vlorë”, u shpreh Rama.

Kreu i PS-së sulmoi edhe Bujar Leskajn: “Leskos me kanotiere dhe me barkun jashtë, që rrihet lokaleve, do ia lini Vlorën? Çfarë do ju mësojë Leskua? Bixhozin, rakinë, bingot, vjedhjen, pabesinë? Për raki apo për ullinj do të shkoni me Leskon? Doni që Vlora, që po bëhet gati të ngjitet më lart, që po bëhet gati për të hapur portë nga qielli dhe nga deti, të kthehet te qoftet e qepa? Të pakënaqurit e Vlorës të bashkohen me mua sepse jam unë më i pakënaquri. Po të isha i kënaqur, nuk vija këtu. Shqipëria duhet të ngjitet në majën ku Zoti e ka dashur kur e bëri”.

Rama premtoi se nëse merr 9 mandate në Vlorë, “në 4 vitet e ardhshme do të bëj 12 herë më shumë për Vlorën seç kam bërë në këto dy mandate”.

“Kur të vijë dita që të jenë zgjedhjet e pas 4 viteve dhe do të tregoj këtë që kam thënë sot. Vlora e pas 4 viteve do të jetë 12 herë më e mirë se kjo që është sot. Kur them Vlora, them Himara, Saranda, Labëria, Selenica dhe Shqipëria. Askush të mos harrojë se ne nuk po vijmë nga një periudhë normale jetese, po vijmë nga një luftë në dy fronte: me një tërmet që do kishte gjunjëzuar edhe një elefant, por jo PS-në; dhe me një virus që mbylli brenda gjithë botën, me të cilin po përballemi me forcën e karakterit tonë dhe Shqipëria është një nga vendet që janë më pranë daljes nga tuneli i pandemisë”, tha Rama.