Menjëherë pas kthimit nga Nju-Jorku, kryeministri Edi Rama udhëtoi për në Kosovë ku do të zhvillojë një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Rreth orës 08:50, Rama u prit nga Kurti me ceremoni shtetërore në Sheshin “Skënderbeu”, ndërsa pas takimit, dy kryeministrat shqiptarë do të mbajnë një konferencë për mediat në orën 10:20.

Vizita e Ramës në Prishtinë vjen, kur situata mes Kosovës dhe Serbisë është mjaft e tensionuar dhe të dyja palët kanë vendosur forca ushtarake në kufi, teksa ditën e sotme, Ministria e Jashtme e vendit tonë i ka bërë thirrje Serbisë të tërheqë trupat e armatosura që të mos nxitet dhunë dhe trazira në veri të Kosovës.

Që prej 18 shtatorit kryeministri Edi Rama ndodhej në Nju-Jork, ku po merr pjesë në sesionin e 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.