Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave të opozitës, duke thënë se qeveria po bën më të mirën për të menaxhuar situatën e përmbytjeve në vend. Rama tha se për COVID-in është gjetur ilaçi, por për opozitën ende nuk ka një të tillë.

Ai shtoi se opozita kapet pas çdo fatkeqësie natyrore sepse është e dëshpëruar dhe bën politikë dhe kur vendi është në krizë.

“Akuzave politike nuk kemi çfarë t’u bëjmë. COVID-it iu gjet dhe vaksina e imunizimit dhe shpresojmë që ta injektojmë tek mjekët dhe infermierët para afatit të premtuar. Ndërsa vaksinës së dëshpërimit të opozitës nuk iu është gjetur formula.

Për shkak të dëshpërimit ata kapen për fat të keq pas çdo mundësie iluzore dhe natyrisht pas çdo fatkeqësie natyrore për të bërë politikë. Në do vazhdojmë të bëjmë punën tonë duke bërë më të mirë siç është bërë dhe në këtë situatë të vështirë për shkak të reshjeve të dendura në disa zona”, tha Rama gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile.

Balluku i përgjigjet Metës: E kemi informuar publikun për përmbytjet

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, është shprehur sot gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile se falë masave të marrave është shmangur përmbytja e Shkodrës.

Më tej ministrja i është përgjigjur dhe akuzave të Presidentit Ilir Meta, i cili më herët tha se qeveria nuk ka informuar qytetarë lidhur me situatën që po përkeqësohej. Balluku u shpreh se gjatë gjithë ditës nëpërmjet mediave janë informuar qytetarët me anë të zëvendës ministrave.

“Doja që ndalesha dhe në një moment tjetër, pasi kemi qenë në akuza se nuk kemi informuar publikun. Por të gjithë zëvendës ministrat kanë qenë në shërbim të qytetarëve me anë të mediave dhe i kemi informuar ata orë pas ore”, tha ajo.

Më tej ministrja ka dhënë disa detaje për hidrocentarelet në vend duke thënë se po prodhohen më shumë se 19 milionë kilovator në ditë.

“Kuota në Fierzë kishte arritur në nivelin minimal historik, sot kuota është 277 metra. Nuk po gjenerohet energji për të ruajtur këto kapacitete. Reshjet do të vazhdojnë me intensitet deri në 1 pas mesnate, por do të ulen më pas. Prodhimi i energjisë në kaskadë është 19 milionë kilovator në ditë, ku është padyshim një nivel shumë i lartë”, tha Balluku.

Më herët Presidenti Ilir Meta ka akuzuar qeverinë se nuk kanë marrë seriozisht alarmin e ngritur nga IGJEUM për përmbytjet.