Pas mbledhjes së Kryesisë, kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria do të punojë për të mos rritur çmimin e energjisë për familjet dhe biznesin e vogël.

Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh besimplotë se do ta kapërcejmë këtë dimër pa dhimbje të mëdha.

“Patëm një diskutim të frytshëm dhe kemi ndarë edhe detyra në bazë të këtij aktiviteti që nis nesër për t’u shtrirë në të gjithë Shqipërinë dhe për të komunikuar më të gjitha komunitet qoftë me qeverisjen vendore. Kemi hyrë në një epokë të një kërcënimi të madh botërisht. Europa, ne si pjesë e saj jemi detyruar të përballemi me kërcënimin e madh të kësaj epoke që vjen nga një agresion në dyert e mëdha të Europës. Që ka sjellë përveç bombave dhe krimeve në Ukrainë dhe çmimet e energjisë dhe produkteve bazë në të gjithë Europën. Është një inflacion luftë. I takon qeverisë që të bëjë gjithçka për lehtësuar peshën e kësaj lufte. Do vazhdojmë të bëjmë gjithçka mundemi. Jemi duke finalizuar buxhetin e vitit të ardhshëm. Ky dyfishim i buxhetit është i bazuar tek domosdoshmëria. Do vazhdojmë që të qëndrojmë me këmbëngulje tek plani për të mbrojtur çmimin e energjisë për familjet dhe biznesin e vogël”, u shpreh ai.

Më tej kreu i qeverisë shqiptare hodhi edhe akuza ndaj opozitës, ku nënvizoi se premton vetëm izolim nga bota.