Kryeministri Edi Rama tha se vota për opozitën më 25 prill është votë kundër reformës në drejtësi. Në një dalje publike, Rama tha ajo është në rrezik nga Ilir Meta dhe Sali Berisha.

“Presidenti dhe ish-presidenti më famëkeq nuk e duan reformën në drejtësi. Ata mbështeten nga kasta e gjyqtarëve të korruptuar që i tremben vetingut. PD LSI dhe KÇK janë 3 këmbët e të keqes me 2 koka presidentësh që kërcënon fatin e reformës në drejtësi. Kujtoni se po votoni për ndryshimin, por do të bëni një prej atyre gabimeve fatale në jetën e një vendi, që i bën një gjeneratë, e i paguan gjenerata tjetër”, tha Rama.

“Batakçinj dhe pisanjosë që kanë njollosur PS duke futur duart e tyre në xhepin tuaj, ka pasur dhe ka plot. Por PS është një karakter i pakrahasueshëm me të tjerët në fushën e ndeshjes. Shumë kush nuk e kuptojnë pse partnerët tanë bëjnë deklarata që tingëllojnë si mbështetje ndaj PS dhe ndaj meje. Por ka vetëm një arsye për mbështetjen e tyre, reforma në drejtësi dhe ardhmja e drejtësisë në Shqipëri”, shtoi Rama.

Kryeministri e quajti kundërshtarin e tij, Lulzim Bashën, një lider pa karakter. “Lulzim Basha nuk është rrezik në vetvete, as për demokracinë, as për drejtësinë. Por duke qenë politikan i dobët, pa karakterin e një lideri, është një kukull ën duart e 3 xhagajdurëve të tjerë të cilët mund ta mbyllin Lulin në shtëpi për 30 sekonda. Kemi parë një koalicion më qesharak sesa ai paszgjedhor si ai dy koalicioneve që garojnë të ndarë”, tha Rama.