“Ne jemi qasur kësaj lufte në këtë fazë me shumë flaksibilitet, duke pasur edhe mbështetjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve, duke besuar se njerëzit do të vazhdojnë të jenë ashtu si kanë qenë para disa javëve, por që prej Vitit të Ri ka filluar një lëshim i vetes në tërësi dhe ka shumë abuzim, që nga ata që nuk vendosin maskat”.

Kështu e komentoi Edi Rama situatën e zbatimit të masave anticovid në vend, pas shtimit të ndjeshëm të rasteve të reja gjatë ditëve të fundit.

Ai theksoi se të gjitha bizneset duhet të reagojnë duke respektuar masat, ndërsa qytetarët të vendosin maskën. Në të kundërt, tha Rama, edhe mbyllja është opsion.

“Në çdo centimetër që ne lëshojmë, virusi përparon. E di shumë mirë që ka plotë ekspertë pa shkollë, ata i dinë të gjitha zakonisht, duke filluar: virusi fle ditën, del natën, e të tjera. Është një opsion, patjetër, mbyllja. Kemi që nga java e shkuar që po diskutojmë dhe presim nga Komiteti i Ekspertëve. Më vjen shumë keq nëse në ditët në vijim nuk do të shikojmë ndryshim qasje nga njësitë tregtare.

Këto ditë do të shikojmë reagimin, ndërkohë do të përgatitemi për zbatimin rigoroz të masave, pa dashur të rikthehemi te kufizimi i fortë i vitet të shkuar. Për momentin nuk do të ketë mbyllje, por është një opsion. Jemi shumë të bindur se tani duhet të reagojmë me forcë”, tha Rama.

Manastirliu: Rritja e rasteve mund të lidhet edhe me variantet e reja të Covid, kemi sinjale nga laboratorët

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në një konferencë për mediat ka sqaruar sot se ka indicie të qarta se në Shqipëri mund të kenë hyrë variantet e reja të Covid. Manastirliu tha se rritja e numrit të rasteve të reja lidhet me qarkullimin e varianteve të reja në vend.

“Vërehet se në javët e fundit ka një trend të lartë të rasteve të konfirmuara me Covid 19. Rritja e rasteve mund të lidhet edhe me variantet e reja të Covid. Sinjalet kanë ardhur nga laboratorët tanë për variante të reja”, tha ministrja.

Më tej numri një i shëndetësisë u shpreh se ngarkesa në spitale ende nuk është në limite, por shtoi se është ulur mosha mesatare e atyre që infektohen.

“Spitalet janë të zëna në masën 70%, pra kemi kapacitete, nuk janë të mbingarkuara. Esencial mbetet zbatimi i masave. Javët e para të këtij viti kemi një incidencë të shtuar dhe lidhet me grupmoshat e të rinjve”, tha Ogerta Manastirliu.