Kryeministri Rama ka reaguar pas nderimit nga SHBA të Ardian Dvoranit me çmimin si një prej 12 kampionëve të antikorrupsionit. Në një postim në Twitter kreu i qeverisë thekson se ky vlerësim është inkurajim për ata që luftojnë për reformën në drejtësi. Sipas Ramës, Dvorani u godit se nuk iu dorëzua presionit të së keqes dhe ky vlerësim provon që e drejta vonon po nuk harron.

“Vlerësimi i lartë i Sekretarit të ri të Shtetit për Ardian Dvoranin, është një inkurajim i jashtëzakonshëm për të gjithë ata që luftojnë për Reformën në Drejtësi në këtë fazë kacafytjeje me të Keqen ku ka hyrë reforma dhe një riafirmim i angazhimit të SHBA në luftën për Reformën! Ardian Dvorani u godit harbutërisht pikërisht se nuk iu dorëzua presionit të së Keqes dhe ky vlerësim rrezatues e shkrin krejt atë baltë imoraliteti politik e mediatik, që u hodh pa kursim mbi të, duke provuar edhe njëherë se e drejta vonon po nuk harron”, shkruan Rama.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka vlerësuar ish-kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvoranin, si një prej “12 kampionët e antikorrupsionit” në botë, një çmim i ri i nisur nga administrata Biden për të vlerësuar përpjekjet në luftën kundër korrupsionit.

Dvorani u largua nga Gjykata e Lartë më 11 qershor me një vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, gati 7 vjet pasi kishte përfunduar mandatin. Më pas, ai u caktua me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Apelit Administrativ të Tiranës. Gjatë detyrës si kreu i KED ai ka pasur shpesh përplasje me presidentin Ilir Meta, sidomos gjatë procesit te emërimeve të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.