Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot programin e Partisë Socialiste “Shqipëria e ardhmja, emigracioni e shkuara”, ku ka treguar vizionin e partisë së tij për rikthimin e emigrantëve në Shqipëri. Rama u shpreh se shumë ekspertë kanë punuar për një kohë të gjatë dhe tashmë kanë një plan të qartë për rikthimin emigrantëve që të punojnë dhe jetojnë në Shqipëri.

Sipas kreut të qeverisë, që kërkon një mandat të tretë, Shqipëria do të bëhet një nga vendet më i kërkuar për turistët dhe do të rrisë eksportet e bujqësisë. Po ashtu ai u shpreh se në ditët në vijim do të prezantohen të gjitha detajet e programit.

“Kemi punuar me një grup të gjerë të skuadrës sonë, anëtarë qeveria, ekspertët tanë dhe ekspertë ndërkombëtarë. Jemi të vetëdijshëm që duhet një plan. Nëse ne nuk e shfrytëzojmë ndryshimin gjërat mund të shkojnë në drejtimin e duhur. Ky plan ka qëllim që të nxisë emigrantët nga Shqipëria si një mundësi e re.

Ditët dhe javët në vijim do të jenë momente të shpalosjes së këtij plani. Unë kam shpresë se Shqipëria do të bëhet në këtë dekadë një vend më i favorshëm seç është. Shqipëria mund dhe do të bëhet një destinacion shumë i kërkuar i rajonit dhe në Mesdhe. Shqipëria do të rrisë eksportet në bujqësi dhe do të rrisë kapacitetet e saj dixhitale.

Ne do t’u ofrojmë emigrantëve një perspektivë të re. Do u ofrojmë rrugë të reja për të investuar kursimet e tyre këtu. Fillimisht do të jetë një proces i rikthimit të parasë së tyre. Ne nuk kemi një program elektoral dëshirash, por një plan punë. Jo program KÇK”, tha Rama.

Emigranti shqiptar kthehet nga Londra për t’u futur në listat e PS

Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe sot me prezantimin e figurave të reja që përfshihen në listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste.

Duke folur për planin e socialistëve për emigrantët, Rama ka prezantuar publikisht një emigrant shqiptar në Angli, i cili do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë.

“Kam kënaqësinë të ftoj një emigrant nga Londra i cili është bashkë me mua dhe do të jetë pjesë e skuadrës tonë të 25 Prillit. Lavdërim Krashi nga Dibra, ikur prej shumë vitesh, jetuar dhe përpjekur si gjithë të tjerët duke e nisur nga hiçi dhe sot shërbëtor publik i qytetarëve të Londrës në Bashkinë e Londrës. Njëkohësisht një njeri i respektuar në komunitetin shqiptar aty, si një kontributor në lehtësimin e gjithë proceseve që kanë shqiptarët”.

Nga ana tjetër, Lavdërim Krashi thotë se pas shumë vitesh në shërbim të qytetarëve të Londrës, tani ka vendosur që të kontribuojë për vendin e tij.

“Jam lindur, rritur dhe arsimuar në Dibër edhe për të më merr malli gjithmonë. Unë jam larguar prej Shqipërisë në vitin 1994 sapo kisha mbaruar Universitetin dhe fitova bursë për të shkuar në Britaninë e Madhe. Ëndrra ime ishte që të qëndrojë 2 vite në Angli dhe të kthehesha në Shqipëri. Ndodhi ajo që s’duhet të kishte ndodhur që e ka kthyer Shqipërinë disa dekada mbrapa, ngjarjet e rënda të vitit 1996-1997 dhe kjo është arsyeja që unë ndenja në Britaninë e Madhe. Punoj në Bashkinë e Londrës dhe jam drejtues i planifikimit urban të strehimit. Londra ka një plagë të rëndë që është mungesa e strehimit. Nuk ka krenari më të madhe se sa të kontribuosh për vendlindjen tënde. Jam i bindur se e ardhmja e Shqipërisë është e ndritur. Përtej retorikave, këtu ka ndryshime të mëdha”, u shpreh ai.