Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Vlorë, ku takoi Enrikun, gazetarin që u bë heroi i ditës duke vënë në rrezik jetën e tij për të mbrojtur qytetarët nga keqbërësit.

Gazetari i “News 24” Enrik Mehmeti ka rrezikuar jetën për të filmuar live grabitjen që po ndodhte në një argjendari në Vlorë.

Ndërsa ka qenë duke kaluar pranë argjendarisë, instinkti i gazetarit bëri që Mehmeti të kuptonte se diçka nuk shkonte kur pa një grua të shtrirë përtokë me duart në kokë brenda dyqanit.

Ai ka nxjerrë telefonin dhe ka nisur të filmojë, derisa grabitësi pasi ka marrë një sasi bizhuterish dhe është larguar duke nxjerrë një armë dhe duke qëlluar në ajër.

“Shpëtimtar në mënyrën me vlonjatshe”

Kryeministri Rama i shprehu atij mirënjohjen për shembullin e jashtëzakonshëm.

“Enriku gazetari që u bë edhe shpëtimtar në mënyrën me vlonjatshe që u doli përpara keqbërësve dhe jo vetëm shpëtoi njerëzit nga e keqja, por mundësoi edhe ndalimin e tyre”, tha kryeministri.

Vetë gazetari u shpreh se ishte momentale por ai shprehu bindjen se edhe nëse do të përballej me diçka të tillë, sërish njëlloj do të vepronte.

“Ishte momentale por edhe nëse ndodhte prapë diçka e tillë prapë do të vepronte njëlloj”, deklaroi ai.

Rama shtoi se momentet janë ato që përcaktojnë njeriun. “Në momentet kritike duken karakteret”, deklaroi Rama.

Akti i gazetarit, tha kryeministri duhet të jetë shembull edhe për gazetarët e tjerë që nuk janë të detyruar të shpëtojnë jetë, por që me punën e tyre mund të bëjnë që gazetaria të jetë mirëbërëse dhe jo keqbërëse.