Kryeministri Edi Rama ka akuzuar ish-ministrin e Brendshëm Bujar Nishani për nxjerrjen e të dhënave të gjendjes civile në internet që nga viti 2009. Nga Pogradeci ku po zhvillonte takimin radhës elektoral, kreu i qeverisë tha se të gjitha të dhënat mund të bliheshin për 15 dollarë.

“Nuk e di Ilir Meta që prej vitit 2009 kur rreshter Bujar Nishani ishte ministër i Brendshëm e gjithë baza e gjendjes civile ka dalë dhe është në internet dhe deri para 3 ditësh blihej me 15 dollarë”.

Ai tha se këto të dhëna po dalin tani për të krijuar konfuzion dhe çorodi te njerëzit, por edhe për të krijuar alibinë pas fitores së socialistëve në 25 prill. Rama theksoi se presidenti Meta vishet me kapuç se takon subjektet e OFL-së.

“Pse i nxjerrin këta tani ku do të dalë Ilir Meta që këtu po survejoheni dhe sot e kishin kapur në një foto me kapuç, presidenti i Republikës mbuluar me kapuç se kur takon subjektet e OFL do vësh edhe kapuç. Ai është i bindur që  e kanë kapur patronazhistët, por patronazhistët nuk kanë kohë të humbin me Metën. U unë e di ç’mendon Meta edhe kur nuk flet mjafton ta shoh dhe të them se çfarë po mendon. Çfarë do të zbulojmë ne? Kjo është tentativë për të krijuar konfuzion te njerëzit e çorodi dhe po ua them këtu sot për të ngritur alibinë e asaj që do dalë në 25 prill”.

Rama shprehu bindjes se Partia Socialiste do të marrë 74-78 mandate në zgjedhjet e 25 prillit dhe u kërkoi qytetarëve që të marrin këdo dhe ta çojnë te kutia e votimit.

“Mos shihni asgjë thjesht dhe vetëm deri në 25 prill kush është dakord me mua të bëjë atë që mundet të mos lërë njeri që njeh pa marrë me vete dhe pa e çuar te kutia e votimit dhe pastaj do e shohim të gjithë ne se çfarë do dalë. Është 74-78 dhe po ishte më shumë nuk mbaj përgjegjësi, por më pak ta harrojnë që të gjithë”.