Nga Dimali, ku ishte i pranishëm për të inspektuar vaksinimin masiv, kryeministri Rama u ka bërë thirrje qytetarëve që të imunizohen. Kreu i qeverisë paralajmëroi se variantet e reja të COVID-it janë edhe më të rrezikshme, ndaj i ftoi qytetarët që të kryejnë vaksinën.

“Varianti të ri është variant agresiv, përhapet shpejt dhe është i rrezikshëm kur kap ata të cilët janë të pavaksinuar. Vaksinimi se bën 100% të paprekshëm nga virusi, por e bën të dobët përballë individit. Në ato raste, kur preket një i vaksinuar, shanset për të shkuar në spital janë zero dhe simptomat janë të administrueshme, pa dhimbje dhe vuajtje. Prandaj për t’u mbrojtur nga varianti i ri, të vaksinohemi, të vaksinohemi. Këtu po ju flet një i vaksinuar, ja ku jam, s’kam asnjë problem. Kjo vlen për ata që vijojnë të jenë spektikë. Është me rëndësi që ne të bëjmë gjithçka që kemi në dorë, dhe ata ta kapërcejnë hendekun e konspiracionit”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu njoftoi se ka nisur sot në të gjithë vendin, java e hapur e vaksinimit masiv për çdo qytetar mbi 18 vjeç, gjatë inspektimit të qendrës së re shëndetësore në Dimal.

“Nga sot ne kemi filluar javën e hapur të vaksinimit për grupmoshën +18 vjeç. Aktualisht ka filluar në të gjithë Shqipërinë, në të gjitha qendrat shëndetësore dhe pikat e vaksinimit të përqëndruar”, tha Manastirliu, duke ftuar të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç që të vaksinohen.

Prej fillimit të procesit të vaksinimit janë kryer në total 1,069,365 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 466,905 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID.

Ditën e sotme nis java e vaksinimit të hapur për moshën +18 vjeç. Të gjithë qytetarët mund të paraqiten me kartën e identitetit në qendrën shëndetësore ose në qendrën më të afërt të vaksinimit, përgjatë gjithë javës, nga mëngjesi deri në 8 të mbrëmjes, për të kryer pa kufizim vaksinën antiCovid.