Kryeministri Edi Rama ka rrëfyer bisedën me ish-Presidentin e Amerikës, Donald Trump dhe batutën që i tha për arkitektin që bëri Trump Tower në Chicago.

“Kur ishim në Bruksel në takimin që u bë Samiti i NATO-s dhe u inaugurua headquarteri i ri i NATO-s dhe po shihnim të gjithë, i them, Zoti President, e di kush e ka bërë këtë? Jo tha. E ka bërë i njëjti arkitekt që ka bërë Trump Tower në Chicago. Po bën shaka tha. Jo i thashë. Më thotë mua, e shikon çfarë bëjnë këta, në vend që të blejnë avionët e mi, vjedhin arkitektët e mi”, tha Rama për Trump.

Në “E diell”, foli edhe për presidentin francez, Emanuel Macron, për të cilin tha se do të jenë miq pasi kanë një marrëdhënie tepër të ngushtë.

“Është nga të paktët që do kem marrëdhënie dhe kur unë mos të jem kryeministër e ai president. Kemi një marrëdhënie miqësore komunikimi dhe sigurisht kemi edhe disa kujtime deri tani, por është një inteligjencë mbresëlënëse. Ai është shumë i interesuar për Ballkanin dhe është një temë që i intereson shumë. Pastaj flasim për historinë  e politikës franceze, për personazhe”, tha Rama për Macron.

Ndërsa për biznesmenin George Soros, Rama hodhi poshtë zërat se ai na kontrollon duke thënë se nuk ka asnjë interes financiar në Shqipëri.

“Soros me Shqipërinë ka pasur lidhje të kahershme si në shumë vende të tjera. Ka bërë investime që ishin të pamundura në atë kohë, shkolla. Pra ka qenë një krah i ministrisë së Arsimit në vitet ’90 dhe sidomos pas vitit ’97. Ndërkohë ishte njeriu që të gjithë të rinjtë qofshin të gazetarisë apo asaj që filloi të formohej si shoqëri civile të kishin mundësi për të udhëtuar jashtë për punët e tyre. Të kishin mundësi për projektet e tyre. Sorosi nuk ka pasur dhe as nuk ka interes financiar në Shqipëri, zero. As për të investuar, as për të përfituar”, tha Rama.

Sa i përket konspiracionistit Alfred Cako, u shpreh se i shkruan vazhdimisht, por e cilëson si personazh simpatik.

“Më shkruan herë pas here, më paralajmëron për ardhjen e apokalipsit por është personazh shumë simpatik. Teoritë e tij janë poezi që mund të konsiderohen si pjesë e fantazisë dhe e dellit krijues të njeriut”, tha kryeministri. Ndërsa teorisë së tij se Edi Rama nuk është i vërtetë, por kloni i tij, iu përgjigj: “Pikërisht pra. Sidomos dhe tani që kam bërë botoks.”