Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi mëngjesin e sotëm një mbledhje me drejtuesit e qarqeve për të vijuar organizimin për fushatën zgjedhore të 25 prillit. Në dalje pas mbledhjes, Rama tha se ishte i hapur për të diskutuar propozimin e opozitës për shtyrjen e vlefshmërisë së kartave dhe pasaportave të skaduara, ndërsa akuzoi Presidentin Ilir Meta se po abuzon me postin dhe detyrat që i ngarkon Kushtetuta.

“Veprimtaria ilegale e Ilir Metës është në sytë e të gjithëve. Nuk është në lartësinë e detyrës që i ngarkon kushtetuta, por është nën çdo nivel të justifikueshëm edhe për një person që ka humbur marrëdhënien me trutë e kokës”, u shpreh Rama.

“Një president që bën gjithë ditën propagandë kundër qeverisë, që flet me një gjuhë rruge, që lëviz ditën dhe natën për qëllime elektorale, që e ka vënë zyrën e rojtarit të Kushtetutës, në dispozicion të ndërmarrjes që formalisht e menaxhon e shoqja, dhe që çdo ditë humbet nivel në raport me detyrën, nuk ka nevojë ta komentoj unë, sepse të gjithë e shohin dhe të gjithë do ta dënojnë më 25 prill”.

Rama theksoi se PS-ja nuk do të ketë koalicion me asnjë parti.