Ramazan Rraja është shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 13 Nëntor në një bilardo në Zejmen të Lezhës. I riu, sëbashku me Roan Brahimin dhe Alesio Dobrozin, kanë hyrë të armatosur në lokal për shkak të një konflikti që ka ndodhur mes një mikut të tyre dhe një kushëriri të pronarit të lokalit.

Ramazan Rraja është arrestuar në vitin 2020 në Belgjikë në kuadër të operacionit “ATOS”. Së bashku me 6 persona të tjerë, i riu nga Nikla e Fushë Krujës u arrestua pas hetimeve për trafik droge ku u sekuestruan 232 kilogramë kokainë.

Për këtë rast, së bashku, me të u arrestua edhe Fioralb Rraja, kushëri i tij. Por Rraja u lirua nga qelia me vendim të gjykatës belge më 27 Maj të vitit 2021. Gjykata në Bruksel vendosi të ndryshojë masën e sigurisë ndaj tij nga arrest me burg në detyrim paraqitje.

Ramazan Rraja është nipi i deputetit socialist, Rrahman Rraja. Emri i 28-vjeçarit del edhe në deklarimet e ish-oficerit të Fushë-Krujës, Emiljano Nuhu, që kallëzoi në polici se është kërcënuar nga Redjan dhe Ramazan Rraja, pasi e hetonte Rexhep Rrajën, djalin e deputetit pas denoncimit për dhunë të Xhisiela Malokut.

Po ashtu në vitin 2019, Ramazan Rraja është proceduar penalisht pas një video të publikuar në mediat sociale ku shfaqej duke dhunuar një femër në oborrin e spitalit “Nënë Tereza”.