Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për zbatimin e buxhetit të vitit 2019 tashmë ka mbërritur në Kuvend për diskutime. Gjetjet e tij pas auditimit të bërë, vërejnë një sër parregullsish që shkojnë në miliona euro në dëm të buxhetit të shtetit. Por ajo që bie në sy është se detyrimet e prapambetura të pakontabilizuara në llogaritë e borxhit publik arritën në 72.3 miliardë lekë ose gati 600 milionë euro. Sipas të dhënave nga auditimi, detyrimet e prapambetura arritën nivelin e vitit 2013, prej 72.5 miliardë lekësh. Por ekspertët e KLSH lajmërojnë se detyrimet e fshehura mund të jenë më të larta se por nuk mund të identifikohet si vlerë për shkak të nënraportimeve të mëdha nga institucionet, të cilat kanë qenë të pamundura të verifikohen nga KLSH gjatë vitit.

Sipas KLSH në shumën prej 72.3 miliardë lekësh të akumuluar deri në fund të vitit 2019, pjesën më të madhe të detyrimeve e zënë ato për projektet e investimeve, mallra, shërbime, vendime gjyqësore të brendshme nga punësimi dhe të tjera me vlerë 24.4 miliardë lekë ose 198 milionë euro. KLSH thotë se qeveria i ka nën- raportuar me së paku 7 miliardë lekë këto detyrime. Pasi janë gjetur një duzine faturash nga tatimet, doganat, AKSHI, Fondi i Zhvillimit dhe bashkitë që nuk është raportuar.

Më pas për nga madhësia vijnë detyrimet nga gjykatat ndërkombëtare me vlerë 19 miliardë lekë, të cilat KLSH i ka përllogaritur duke marrë në konsideratë vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe Arbitrazhit. Kjo shumë e cila sipas KLSH është 154 milionë euro nuk është raportuar nga qeveria në raportin periodik të detyrimeve të prapambetura.

Gjithashtu KLSH ka gjetur edhe 14 miliardë lekë ose 110 milionë euro nga TVSH e parimbursuar. Auditi suprem thekson se qeveria ka një nënvlerësim të detyrimeve të TVSH-se dhe tatim- fitimit.

Nga auditi në tatime është verifikuar se, janë edhe 14.1 miliardë borxhe të prapambetura si rimbursimi që duhet ti bëhet tepricës kreditore të Tatimit mbi Fitimin. Detyrimet e prapambetura të zbuluara nga KLSH-se ishin sa 4.1 për qind e PBB-së së vitit 2019. Kontabilizimi i tyre në llogaritë buxhetore do ta çonte borxhin real të vendit në rreth 86 për qind të PBB-së ketë vit. Kontrolli i Lartë i shtetit lajmëron deputetet në Kuvend se Ministria e Financave dhe Ekonomisë e ka humbur kontrollin mbi saktësinë e shumave të detyrimeve të prapambetura të krijuara, të mbartura dhe gjendjes në fund të vitit.

“Niveli i detyrimeve të prapambetura është rikthyer në problematik. Akumulimi i madh i detyrimeve financiare të prapambetura shkakton dëm në stabilitetin fiskal te vendit. Në konkluzion, konstatojmë se MFE nuk ka kontroll mbi saktësinë e shumave të detyrimeve të prapambetura të krijuara, të mbartura dhe gjendjes në fund të vitit. Niveli i detyrimeve të prapambetura është përsëri një problematikë që kërkon adresim të menjëhershëm dhe të kujdesshëm”,  referon KLSH.

Çfarë vëren raporti për vendimet gjyqësore?

Edhe për vitin 2019 nga auditimet e kryera vazhdon të konstatohet problemi i efektit financiar që sjellin vendimet gjyqësore, në veçanti ato vendime që i përkasin çështjeve të largimit nga detyra të punonjësve. Institucionet e audituara për vitin 2019 rezultojnë të kenë shlyer një fature goxha të lartë në lidhje me shpenzimet gjyqësore vetëm për rastet e largimeve nga puna/ulje në detyre etj., ku këtyre shpenzimeve u shtohen edhe shpenzimet përmbarimore dhe në total rezulton se humbjet e proceseve gjyqësore dhe me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë prej kompanive përmbarimore shpenzimet arrijnë në shumën 46,492 mijë lekë e konsideruar si dëm ekonomik dhe në shumën 209,601 mijë lekë e konsideruar si përdorim pa Efektivitet, Eficiencë dhe Ekonomicitet i fondeve.

Detyrimet e prapambetura

Detyrimet e prapambetura të raportuara nga Drejtoria e Buxhetit në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë në total janë në shumën 16,370.3 milion lekë. Vetëm për institucionet qendrore sipas MFE detyrimet e akumuluara deri në fund të vitit 2019 janë në shumën 8,200.2 milionë lekë. Po sipas këtij raportimi, detyrimet e prapambetura të njësive të vetëqeverisjes vendore raportohen në shumën 8,170 milionë lekë. Regjistrimi i detyrimeve të prapambetura nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë kryhet nëpërmjet Sistemit Informatik Financiar të Qeverisë, në bazë të vetdeklarimeve të institucioneve buxhetore.

Ky vetëdeklarim shoqërohet edhe me procesin e raportimit të pasqyrave financiare, në të cilën pasqyrohet edhe llogaria sintetike e detyrimeve të prapambetura “llogaria 486”. Sipas llogarisë 486 në sistemin e thesarit, stoku i detyrimeve të prapambetura deri në fund të vitit 2019 është 17,279 milionë lekë, nga të cilat 8,372 milionë lekë i përkasin njësive të qeverisjes qendrore dhe 8,907 milionë lekë njësive të vetëqeverisjes vendore.

Raporti konstaton se ka devijime midis vlerës totale të raportuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, për detyrimet e prapambetura në krahasim me çfarë është regjistruar në Sistemin Informatik Financair të Qeverisë (SIFQ), në vlerën 909 milionë lekë, si rrjedhojë e diferencave në kohë të raportimit.

Me qëllim vlerësimin e saktësisë dhe plotësisë së raportimit të stokut të detyrimeve të prapambetura në fund të vitit 2019, u krahasuan shumat e deklaruara “të paguara” gjatë vitit 2019, me të dhënat e SIFQ të vëna në dispozicion për pagesat e ekzekutuara, nga të cilat konstatohet se pagesat për faturat dhe detyrime të tjera me datë dokumenti vitet 2011-2018 janë gjithsej 24,460 milionë lekë ose 13,088 milionë lekë pagesa më shumë se ato të raportuara (nga stornimet e llogarisë 486). Kjo tregon që raportimi i tepricës çelëse të llogarisë së detyrimeve të prapambetura është i nënvlerësuar për të paktën dyarsye si në vijim:

– Mos raportim i vlerës së TVSH së rimbursueshme në llogarinë 486

– Mos raportim i detyrimeve sipas vetdeklarimit të njësive buxhetore, duke procesuar gjatë vitit 2019 pagesa pa kaluar nëpërmjet llogarisë 486. Duke marrë në konsideratë riskun e vetëdeklarimit dhe ekzistencën e njësive buxhetore të cilat nuk deklarojnë detyrime të prapambetura, nga ana e KLSH janë detajuar procedurat audituese në drejtim të ofrimit të sigurisë mbi vlerësimin e stokut të detyrimeve të prapambetura.

Nga auditimi konstatohet se ekzistojnë njësi shpenzuese që nuk raportojnë detyrime të prapambetura si dhe njësi shpenzuese që raportojnë me diferenca materiale përkundrejt vlerave faktike të detyrimeve të prapambetura si në rastin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve me detyrime të pa raportuara në rreth 630,253 mijë lekë për vendimet gjyqësore, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave me detyrime të pa raportuara në rreth 19,999 mijë lekë për vendime gjyqësore, AKSHI me detyrime të pa raportuara në rreth 1,506,317 mijë lekë, Fondi Shqiptar të Zhvillimit me detyrime të pa raportuara me rreth 116,488 mijë lekë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve me detyrime të pa raportuara në rreth 149,564 mijë lekë, Aparati i Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë me detyrime të pa raportuara në rreth 127,698 mijë lekë, Universiteti Aleksandër Moisiu me detyrime të pa raportuara në rreth 91,314 mijë lekë, që japin në total një efekt me detyrime të prapambetura në rreth 2,642 milion lekë.

Po kështu detyrimet e prapambetura të pa financuara nga qeverisja qendrore për fondin e zhvillimit të rajoneve sipas vetdeklarimeve të njësive të vetqeverisjes vendore vlerësohen në rreth 790 milionë lekë. Sipas KLSH-së në raportin e Ministrisë së Financave për Zbatimin e Buxhetit nuk ka vlerë të raportuar mbi vendimet që priten të ekzekutohen për cështje të arbitrazhit apo GJEDNJ, pavarësisht se niveli i lartë i tyre në proces ekzekutimi impakton Buxhetin e Shtetit të vitit të ardhshëm.

Bazuar në ngjarjet pas periudhës raportuese, si dhe deklarimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në raportin e mesvitit për buxhetin e vitit 2020 këto detyrime vlerësohen nga KLSH në rreth 19 miliardë lekë. Në konkluzion të saj KLSH konstaton se MFE nuk ka kontroll mbi saktësinë e shumave të detyrimeve të prapambetura të krijuara, të mbartura dhe gjendjes në fund të vitit. Niveli i detyrimeve të prapambetura është rikthyer në problematik. “Niveli i detyrimeve të prapambetura është përsëri një problematikë që kërkon adresim të menjëhershëm dhe të kujdesshëm”, vëren KLSH.