Drejtoria Rajonale e AKU jo vetëm që e favorizonte një kompani importi të sillte ushqime false nga Polonia, por edhe e garantonte t’i shiste në tregun shqiptar pa u shqetësuar. Djathë pice fals me etiketën Le Guedete dhe Friendship Butler, që vetëm gjalp nuk ishte. Dhe u shitën të paktën 45 mijë kg nga këto produkte. Kompania e pangopur jo vetëm që mashtronte me etiketat, por i shiste edhe përtej afatit të skandencës.

Mekanizmi korruptiv i AKU-s me këtë kompani është zbuluar hap pas hapi nga grupi i auditimit të KLSH. Qendra Alert disponon raportin e auditimit të kryer në Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë (DRAKU) për periudhën nga data 1 janar 2018 deri 30 dhjetor 2020. Nga kontrolli rezultojnë shkelje të rënda financiare, të Ligjit për ushqimin dhe vendimeve të qeverisë për kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore, duke mos mbrojtur interesin e konsumatorit.

Djathë pice fals me etiketën “Le Guedete”

Ky është rasti se si AKU tallet me denoncimet e qytetarëve për produktet ushqimore false. Pasi morën indicien DRAKU autorizoi inspektimin e subjektit G. Me bazë në Tiranë dhe aktivitet: “Tregtimi me shumicë dhe pakicë të artikujve ushqimorë, eksport-import i mallrave, etj.”

Sipas Procesverbalit të inspektimit nr.AKU-TR-2018-002811-2, date 06.06.2018, pasqyrohet se është marrë moster për analizë laboratorike nga produkti djathë pice “Le guedete” në sasinë 2 shufra.

Gjithashtu pasqyrohet informacioni se u krye inspektimi, ku rezultoi se subjekti importon dhe tregton produkte të  ambalazhuara, të cilat “ruhen në kushte të përshtatshme frigoriferike me temperatura të monitoruara. Subjekti disponon dokumentacionin përkatës për produktet si dhe sistemin e gjurmueshmërisë. Gjate inspektimit nuk u konstatuan shkelje të kërkesave ligjore”.

Nuk kryhet asnjë analizë për djathin

Në Fletë-shoqërimin e mostrës për në laboratorin e ISUV, me nr.2381, pasqyrohet sasia prej 2 shufra/3.044 kg secila, ose 6.088 kg në total, për analizë të shtesave bimore të produktit djathë.

Po ashtu pasqyrohet refuzimi i pranimit të saj nga laboratori, për arsye se nuk përputhct me kritërët tcknike të kampionëve.

Më tej, vendimi përfundimtar i inspektimit nr.AKU-TR-2018-002811-5, datë  06.06.2018, nuk përfshin asnjë shkelje dhe masë administrative.

Nga shqyrtimi i praktikës së mësiperme, KLSH konstaton se: mostra e produktit djathë ngeli pa u analizuar dhe indicia e ngritur për këtë produkt nuk u shqyrtua deri në fund, pasi edhe pas refuzimit të analizës laboratorike të mostrës, nuk u mor mostra e re.

Theksojmë këtu se ky subjekt është furnizuar me një sasi të konsiderueshme me djathin Le guedete, pra rreth 20 mijë kg, në dy furnizime në daten 03.02.2018, dhe e ka shitur thuajse të gjithe sasinë në rreth 200 subjekte të tjera (përjashtuar 63 kg, te cilat i kishte gjendje);

Gjithashtu, KLSH konstaton se ankesa ka ardhur për një produkt me origjinë shtazore, ndërkohë autorizohen të bëjnë inspektimin dy inspektorë të sektorit të produkteve me origjinë jo shtazore;

Po ashtu, certifikatat e sigurisë së produktit djathë Le guedete, bashkëlidhur praktikës së importit, janë në gjuhën polake dhe jo në gjuhën shqipe, një detyrim i përcaktuar në nenin 18 të Ligjit të ushqimit, dhe ky fakt nuk duhet të anashkalohej nga inspektorët që kanë bërë inspektimin pranë këtij subjekti, të cilët duhet të kishin marrë masë administrative (minimalisht në vlerën 1,000,000 lekë, por që nuk e kanë bërë), por edhe nga inspektorët e pikës kufitare, prej nga ka hyrë produkti ushqimor.

Sipas raportit të KLSH, sistemi i gjurmueshmërisë nuk është kontrolluar plotësisht, pasi subjekti me produktin djathë Le guedete është furnizuar edhe me datë 27.11.2018 sipas deklaratës së importit R 108687 me datë skadence 01.08.2018, dhe në datën 06.06.2018 që është kryer inspektimi, subjekti ka pasur gjendje nga ky produkt, konfirmuar kjo nga kërkesa e bërë nga subjekti G. me datë 24.10.2018 në DRAKU Tiranë për asgjësimin e disa produkteve ushqimore, pjesë e të cilës është edhe produkti Le guedete me 3 data skadence: 01.08.2018; 09.10.2018 dhe 13.10.2018, ku vetëm per dy datat 09.10.2018; 13.10.2018, inspektorët kanë pasqyruar sistemin e gjurmueshmërisë.

Sa më sipër, grupi i auditimit arrin ne konkluzionin se si pasojë e mosvperimeve të titullarëve dhe të inspektorëve të DRAKU Tiranë, në këtë rast nuk është garantuar siguria dhe cilësia e produktit ushqimor.

Produktet e skaduara nuk asgjësohen

Pak më pas, në inspektimin e subjektit G, nga data 09.11.2018 në datën 12.11.2018, u gjendën produkte me afat skadimi të kaluar, në sasinë 9,110 kg, të cilat mbahen në ambjent të veçantë dhe bashkëngjitur tyre ishte lista me të gjithe produktet, me shënimin për t’u asgjësuar. Subjekti G. me datë 24.10.2018 ka bërë  njoftim në  DRAKU për kryerjen e asgjësimit të tyre, por procedura  nuk është kryer se mungonin inspektorë e mjedisit.

Në praktikën e mësipërmë KLSH konstaton se:

Nga  inspektorët nuk është dokumentuar asnjë veprim,  dokumentacion, mjet, produkt i inspektuar; Nuk ka asnjë foto të produkteve të cilat janë për t’u asgjësuar apo verifikim të sasisë fizike të tyre në krahasim me listën e produkteve që ka nxjerrë jashtë përdorimit subjekti, me qëllim asgjësimin e tyre; Po ashtu, nga inspektorët nuk është dhënë asnjë masë administrative gjobë, për shkeljet të cilat kanë konstatuar, pasi mospërditësimi i temperaturave të mjeteve të transportit, me të cilat kryhet shpërndarja e produkteve ushqimore me origjinë shtazore dhe jo shtazore, është mosrespektim i kushteve të ruajtjes së zinxhirit ftohës në të gjitha fazat (prodhim, paketim, transportim, vendosje në treg të produkteve ushqimore), dhe për këtë shkelje Ligji i ushqimit si dhe aktet nenligjore në zbatim te tij parashikon dënim administrativ.

-Gjithashtu nga inspektorët nuk është marrë asnjë masë me qëllim bllokimin e produkteve që do të asgjësohen, me shenja dalluese, dhe vendosjen e afatit konkret për asgjësimin e tyre. Pavarësisht se subjekti i ka veçuar ato, inspektorët kanë detyrimin ligjor që produktet të cilat janë dëmtuar ose u ka kaluar afati i skadimit, të bëjnë bllokimin e tyre.

Komendia e DRAKU-t vazhdon 10 ditë më pas në subjektin G me vendndodhje Blloku i magazinave frigoriferike në rrugën dytësore, pranë urës së Limuthit. Në procesverbalin e inspektimit pasqyrohet se: Asgjësimi i produkteve nuk u krye, për arsye se produktet nuk ishin të ndara sipas llojit te tyre.

“Përsëri vazhdon që të lihet në dëshirë të subjektit asgjësimi produkteve dhe jo të vendoset detyrimi për asgjësimin e tyre brenda afatit të caktuar, për më tepër kur një nga inspektorët, ka qenë pjesë edhe e inspektimit të mëparshëm, në të cilin janë shprehur se produktet që do të asgjësohen jane grupuar dhe ndarë veç produkteve të tjera”, konstaton KLSH.

“Gjithashtu, -vazhdon raporti,- në këtë inspektim nuk ka asnjë foto për të dokumentuar mënyrën se si ishin grupuar produktet që do të asgjësohen, dhe nëse janë përsëri ato produkte, për të cilat është bërë kërkesa për asgjësimin e tyre”.

Megjithatë KLSH tregohehet e butë në konkluzione, ku raporti përdor termin favorizim, në vend të “shpërdorim detyre”. Dhe të mbajmë parasysh se këto veprime dhe mosveprime cenojnë direkt shëndetin e konsumatorit.

“Nga sa më siper, grupi i auditimit arrin ne konkluzionin se ky subjekt është favorizuar nga inspektorët dhe kryeinspektorët e DRAKU Tiranë, të  cilët kanë lënë në dëshirë të subjektit asgjësimin e produkteve ushqimore, duke mos garantuar sigurinë e konsumatorit për këto ushqime, pasi në çdo moment subjekti mund t’i  ripaketojë ato produkte që janë të dëmtuara dhe mund t’i tregtojë”, konkludon raporti i auditimit.

Si e ndryshoi DRAKU vendimin për gjalpin fals dhe të skaduar

Në inspektimin e subjektit G., Rruga 3 Dëshmorët, Magazina nr.52, kati i parë, 05.06.2019, del se u gjendën produkte të cilave u kishte kaluar afati i përdorimit brenda vitit 2016, 2017, 2018, por edhe brenda vitit 2019.

Këto produkte subjekti nuk i kishte përfshirë në listën e produkteve që kishte dërguar në DRAKU me datë 24.10.2018 me shkresen nr.3172 prot., dhe ajo që është më e rëndësishme, ky fakt nuk është permendur në asnjë rast në dy inspektimet e mëparshme  (të datave 09.11.2018  dhe 19.11.2018, të kryer në këtë subjekt për procedurën e asgjësimit).

Ndaj subjektit G. për shkeljen e kërkesave ligjore u vendosën 7 gjoba në vlerën 5,200,000 lekë (2,000,000 leke për licencën + 100,000 lekë për etiketimin + 200,000 lekë për gjurmueshmërinë + 2,000,000 lekë për importin

200,000 lekë për planin HACCP + 500,000 lekë për nxjerrjen në treg të ushqimeve të pasigurta +200,000 lekë për përgjegjesitë e operatorit).

Vendimi i ndërmjetëm i inspektimit nr.AKU-TR-2019-003318-4, date 05.06.2019, ku është bërë ndalimi i ushtrimit të aktivitetit për arsye të mungesës së licencës në këtë vendndodhje, trajton edhe një sasi gjalpi fals nga Polonia.

Sipas vendimit, bëhet bllokimi i sasisë 425 kg të produktit Friendship Butler, si dhe sasia prej 20,525 kg që subjekti ka shitur nga ky produkt të tërhiqet nga tregu brenda datës 07.06.2019

Nga grupi i auditimit i KLSH, në praktikën e mësipërme konstatohet se kjo vendimmarrje e grupit të inspektimit nuk është plotë dhe e saktë.

“Për bllokimin e produktit Friendship Butler nuk është zbatuar siç duhet ligji, produkti bllokohet dhe administrohet në ambjentet e institucionit që ka konstatuar kundërvajtjen administrative. Veprim i cili nuk është bërë, sepse produkti është lënë në ambjentet e subjektit; Nuk janë vendosur shenjat dalluese të bllokimit të produkteve dhe ndalimit të ushtrimit të aktivitetit, çka e bënë të parealizuar plotësisht masën administrative të inspektorëve, dhe nuk garantohet, nëse subjekti do të tregtojë nga ky produkt apo jo”, thekson raporti i KLSH.

Gjithashtu nuk janë vendosur shenjat dalluese të ndalimit të ushtrimit të aktivitetit, çka nënkupton mbyllje të  subjektit, vendosja e shiritave në hyrje të subjektit dhe  ndalimi i hyrjes së personave të paautorizuar;

Por ka edhe një kleçkë tjetër në këtë inspektim, që e ka zbuluar auditimi nga KLSH, që do ta lejojë subjektin të shesë i qetë “gjalpin” e sjellë nga Polonia.

“Nga masa e marrë në  vendimin e ndërmjetëm në  krahasim me vendimin përfundimtar të inspektimit, lidhur me produktin Friendship Butler, ka ndryshim të saj, pasi në vendimin e ndermjetëm jepet masa e bllokimit dhe tërheqja e këtij produkti, ndërsa në vendimin përfundimtar është lënë detyrimi për tërheqjen nga tregu dhe rietiketimin e tij. Në gjykimin e grupit të auditimit është e pabazuar në ligj, pra në asnjë percaktim në Ligjin e ushqimit si dhe në VKM nr.1344, date 10.10.2008 nuk thuhet se në rastet kur etiketa përmban informacion të gabuar, ajo duhet  te rietiketohet,  dhe veprimi  i inspektoreve  në këtë rast nënkupton që, gabimi i subjektit (mashtrimi  duke  pasqyruar  informacion  jo të vërtetë për produktin)  eshte toleruar”, nënëvizon raporti i KLSH.

Sipas ligjit, ky produkt  ushqimor duhet te hiqet nga tregu, te bllokohet dhe të asgjesohet, dhe jo te rietiketohet. Për më teper kur subjekti nuk ka sistemin e gjurmueshmërisë  për këtë produkt, edhe tërhegjen e tij nga tregu s’ka se si ta bëjë kur ai nuk e di se ku e ka shitur këtë sasi.

Pra, në këtë rast kemi të bëjmë me një ushqim të pasigurt, referuar shkeljeve mbi kushtet e ruajtjes, informacionin, certifikaten e analizës, dhe në këto kushte duhej të bllokohej, të merrej në administrim nga inspektorët dhe të ruhej në ambjentet e institucionit, si dhe të lihej detyrimi që ky produkt të asgjësohet brenda një afati të caktuar.

Gjithashtu, konstatohet se gjoba e vendosur nuk është arkëtuar akoma, si dhe ankimi i bërë nga subjekti më datë 25.06.2019, nuk  është shqyrtuar nga komisioni i ngritur në Ministrinë e Bujqësisë. Sipas KLSH-së më këto sjellje, nga inspektori deri tek Ministria, është krijuar efekt negativ financiar në buxhetin e shtetit në vlerën 5,200,000 lekë.

Grupi i auditimit i KLSH, pas shqyrtimit të veprimeve dhe mosveprimeve të inspektorëve, gjykon dhe arrin në konkluzionin se, ky subjekt është favoriznar në këtë drejtim, dhe nuk është garantuar siguria dhe cilesia e ushqimit, si dhe nuk janë mbrojtur interesat e konsumatorit. Edhe pas rietiketimit, Friendship Butler është i pasigurt dhe jo cilesor, referuar konstatimeve të bëra nga vetë inspektorët e DRAKU-t./Alert