Raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se është vula e turpit dhe ky raport evidenton shumë denoncime që ka bërë edhe opozita.

Në një konferencë për mediat nga selia blu, Basha tha se raporti i OSBE është vula e turpit dhe se zgjedhjet e 25 Prillit janë masakër elektorale dhe vjedhja më e madhe në historinë zgjedhore në vend.

“25 Prilli nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë. 25 Prilli ishte një masakër zgjedhore. Ky raport për fat të keq është vula e turpit mbi vjedhjen më të madhe të kryer në historinë e pluralizmit. Blerje masive të votave dhe presion ndaj votuesve, e kemi thënë ne e thotë dhe raporti. Përdorimi i grupeve kriminale e kemi thënë e thotë dhe raporti. Ndryshime të njëanshme kushtetuese, e kemi thënë ne e konstaton edhe raporti. Ndryshimi i fletës së votimit, që solli vota të pavlefshme. Para dhe pas 25 Prillit, PD i ka denoncuar krimet zgjedhore kemi depozituar afron 185 padi në SPAK dhe në Prokuroritë e rretheve. Por prapë asnjë nga krimet elektorale nuk është ndëshkuar deri në këtë moment. Nuk po fërkojmë duart sepse na doli fjala. Në 25 Prill nuk ishte PD që u dëmtua, por ishte Shqipëria dhe shqiptarët, interesat e tyre dhe e ardhmja e tyre. Ishin shumica dërrmuese e shqiptarëve që e kërkon ndryshimin dhe sot e kërkojnë ende këtë ndryshim. Është detyrë e SPAK të ndjekë me përparësi dosjet e krimeve zgjedhore“.

Partinë Socialiste, Lulzim Basha e konsideron problemin dhe jo zgjidhjen, e për këtë arsye, ai thotë se zgjidhja janë zgjedhjet demokratike.

“Zgjidhja është hapja e rrugës për zgjedhje demokratike, të lira dhe të ndershme për shumicën e shqiptarëve që duan ndryshim. Detyra jonë është të hartojmë një bashkëpunim sa më të ngushtë me shumicën dërrmuese të shqiptarëve, të bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtarë, të vetëdijshëm se koha na ka dhënë të drejtë për të gjitha betejat tona. Në kushtet e kapjes totale të shtetit, kjo nuk do të jetë e lehtë. Përkundër masakrës zgjedhore, shqiptarët i kanë dhënë PD më shumë forcë dhe vendosmëri për ta çuar deri në fund përballjen me këtë regjim. Këtë betejë nuk e bëjmë për veten tonë, e bëjmë për PD, të dëmtuarit e mëdhenj të 25 Prillit. Të gjithë miqtë e Shqipërisë që e duan vendin tonë demokratik pranë Europës me më pak krim dhe korrupsion e për t’ia u kthyer pushtetin shqiptarëve. Raporti i 25 Prillit t’i përkasë të shkuarës dhe jo të ardhmes që shqiptarët meritojnë”.

“Do të vazhdojmë betejën tonë në të gjitha frontet, nuk do jetë rrugë e lehtë”

Kryedemokrati Lulzim Basha thotë se opozitë do të vijojë betejën me qeverinë, të cilën e akuzon se ka minuar demokracinë në Shqipëri.

Basha u shpreh rruga nuk do të jetë e lehtë, por thotë se në këtë betejë Partia Demokratike nuk do të jetë e vetme.

“Ne besojmë se Shqipëria nuk mund të ecë përpara pa konsoliduar demokracinë. Ne do të intensifikojmë betejën tonë në të gjitha frontet, në të gjitha forumet. Kjo është sot betejë jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kjo nuk do të jetë një rrugë e lehtë dhe as që PD mund ta përshkojë e vetme. Ne do të hedhim të gjitha hapat për një bashkëpunim intensiv me të gjitha forcat e gjalla të shoqërisë, nga sipërmarrja tek elita e mendjes shqiptare; nga të rinjtë tek fermerët, mësuesit, sigurisht në një aleancë me gazetarinë me integritet për t’u përballur me një gjendje jashtëzakonisht të rëndë, të paprecedentë në 30 vjet pluralizëm. Pra ajo që na pret është betejë, nuk do të jetë e lehtë. Shumicës t’i japim zë dhe t’i rikthejmë vendimmarrjen”, u shpreh Basha.