Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon gjatë një interviste për Kosova Press, shprehet se dokumentet “non papers” që flasin për ndryshim kufijsh në Ballkan janë hartuar në Moskë dhe Beograd dhe kanë për qëllim të trazojnë Ballkanin.

“Unë thjesht do ta injoroj këtë, sepse shumica e ‘non-papers’ të draftuara jo në Bruksel, por në Moskë e në Beograd, në Hungari, në Budapest, krijojnë shumë frikë, panik, trauma dhe më shumë kanë për qëllim të trazojnë rajonin, se të sjellin një proces pajtueshmërie dhe kjo është shumë e trishtë, shumë fatkeqe, dhe ne duhet të flasim për pasojat që do kenë tek njerëzit në rajon, andaj nuk duhet t’i marrim ato në konsideratë. Do të doja t’i injoroja. Është temë shumë toksike dhe sigurisht që nuk është draftuar në Bruksel”, tha Von Cramon.

Shkurtimisht, ajo ka komentuar edhe përplasjet e djeshme në Samitin e Tiranës, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe homologes së tij serbe, Ana Bërnabiç. Sipas Kurtit, përplasjet ndodhën pasi kryeministrja serbe nuk pranonte asesi që ta njihte pavarësinë e Kosovës. E, sipas Von Cramon, Serbia duhet ta pranojë realitetin tashmë.

“Nuk isha prezente në atë tavolinë. Është e vështirë të komentoj atë gjë. Është fatkeqësi që ne ende jemi në këtë pikë. Çka të them. Nuk kam dëshmitarë të kësaj situate. Është e vështirë të them çkado nga jashtë. Andaj, do doja të jem konstruktive aq sa mundem. Do të përpiqem që nga ana e Komisionit të bëjë presion tek Serbia se ata duhet të jenë të gatshëm të pranojnë disa nga nevojat, realitetin dhe faktet se Kosova është në rrugën e duhur dhe se neve do ta na duhet një gjë e tillë edhe nga Serbia për rrugën drejt integrimit evropian, e cila përfshinë njohjen e Kosovës apo çfarë marrëveshje në të cilën Kosova diskuton nga niveli i njëjtë. Nuk dua ta komentoj këtë rast konkret”, ka deklaruar tutje Von Cramon.

Raportuesja për Kosovën komentoi për KosovaPress liturgjinë e djeshme fetare nga klerikët serbë në Kishën ortodokse në oborrin e kampusit të Universitetit të Prishtinës, i vlerësuar si provokim në Kosovë. Von Cramon ka thënë se nuk e di nëse një veprim i tillë ishte provokim nga pala serbe, por sugjeroi që Kosova të fokusohet në agjendën e saj evropiane.

“Ky provokim nga pala e komunitetit serb mund të jetë i vërtetë apo jo. Nuk mendoj se është e nevojshme të konsiderohet si i tillë, sepse ne duhet të vazhdojmë me agjendën pozitive në lidhje me atë se për çka duhet të pajtohemi, çka është në agjendën e Kosovës që synohet të arrihet. Mendoj se për mua, edhe për ne në Bruksel, është më e rëndësishme të fokusohemi në gjërat e përbashkëta për të cilat duhet të punojmë, se të shpërqendrohemi nga këto, t’i quajmë reagime apo kthime prapa të pakëndshme nga Serbia. Prandaj, nëse një gjë e tillë ishte e qëllimshme, e rastësishme, apo thjesht ndodhi, nuk e di. Nuk dua të spekuloj. Do të doja të përpiqemi të gjejmë agjendën në të cilën ju dhe Bashkimi Evropian duan të punojnë, në emër të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ajo.