Shkruan Blerina Shalari

___________________________

“Raveli i përmbysur”


Moris Ravel, kompozitori i famshëm francez përveçse një muzikant me tipare universale u bë një nga “ushtarët” e luftës së madhe që përfshiu njerëzimin. Mbasi u ofrua në front, nuk e kish menduar se ajo e shkretë, pra lufta në fakt ishte një asgjë e re nga fronti i njerëzimit. Zhgënjimi i tij qe i madh. Zi, vrasje, tortura, gjygje pa gjygj, armë, zjarr, tmerr, këto tipare ferri e kishin hirnosur padashur edhe shpirtin delikat të francezit shëndetligg. Ai, si pianist dhe kompozitor krijoi edhe gjatë luftës një muzikë hyjnori, për shumë shpirtra që donin të ngushëlloheshin prej saj. Ankthi i luftës e kish vrarë shpirtin e kompozitorit, deri në atë pikë sa një ditë ai iu lut komandës që të shërbente, por jo më në front, por si shofer kamioni. Merreni me mend, një kompozitor, shofer kamioni. Respekt të pafund për “kompozitorët shoferë” që ngasin makinën…

I gjendur mes rropamës së frikshme, ai e ndjente megjithatë se duhej luftuar, se duej sakrifikuar, sepse mbi luftën qe ideali, mbi idealin qe liria, aq e dëshiruar dhe e adhuruar për artistin. Thuhet madje se Raveli është plagosur diku, por megjithatë ai gjeti një mënyrë për ta pranuar luftën në prapavijë, por i vendosur. Një ditë nga zia luftë, mori vesh se një miku i tij, pianist edhe ai, humbi dorën e djathtë pas një sulmi të rëndë të kryer përmes bombardimit. Trishtimi i kompozitorit ishte përvëlues. U mbyll në vetëvehte, dhe qau me ditë të tëra. Më pas, mbyllj a e parë solli të dytën. Do të shkruante një koncert për mikun e tij të shtrenjtë, pianistin fat-helm që humbi dorën e djathtë. Po a e dini se ç’është dora e djathtë për pianistin? është zemra e muzikës, është ajo që udhëheq, është perandori i mjeshtrit, melodia. Por Raveli si gjeni deshi t’ia zëvendësonte dorën, zemrën e humbur me një tjetër. Ç’të bënte? Ai krijoi një koncert për piano që njihet në histori si “Koncerti për dorën e majtë”. Mendojeni vetë. Si ta pranonte kompozitori që shoku i tij pianist të humbiste njërën dorë, domethënë: Të humbiste pianon? Tmerr, tragjedi, mirëpo ky është artisti, ai që vuan për artistin tjetër, ai që e do artistin tjetër, si shpirtin e tij. Ndaj Raveli ia zgjati jetën mikut të tij artist, duke i dhuruar një koncert, ose, pianon e humbur. Dhe kështu e përjetësoi në histori. Sot ky koncert është nga veprat më të luajtura të muzikës bashkëkohore në botë. E kam shijuar disa herë nën mrekullinë e orkestrës simfonike të R T SH-së.

Por ndalo këtu!

Përse në Shqipëri e gjej Ravelin të përmbysur? Ose: Pse modeli i tij i pashembullt i mirësisë shihet “kokëposhtë”, vite të tëra, qysh në 1998 që mundohemi unë dhe shumë si unë që të ngrihemi të paktën në nivelin e detit, sa për të menduar një grimë se i përkasim ashtit artistik. Por jo, kujdes. Pritat nuk mungojnë, xhelozitë, harbojnë, smira thyen çdo talent, mua pakk, të tjerë më tepër, po pavarësisht, ne jetojmë me artin, flijojmë çdo ditë diçka për të shtrenjtin art, dhe derisa një ditë, të mjegullohemi si thotë një shkrimtar i madh i këtyre anëve. Ravelin e shoh të përmbysur, sepse fatkeqësisht, modeli i tij as mund të mendohet në shumicën e vërtitjeve në tallazet e skenës shqiptare. Ti del në skenë, bomba të hidhet në prapaskenë. Ti luan rolin tënd, të tjerë thonë se e kanë luajtur ata. A di ndokush këtyre kohëve të më thotë se cili i ka kushtuar kujt ndonjë fjalë të mirë për artin që bën? Unë nuk di. A e imiton ndokush dot Ravelin që të krijojë një vepër ngushëllimi pikërisht për talentet e goditura në Shqipëri? Në kohën e sistemit të egër të godiste shteti, por të paktën goditja ishte zyrtare, me shkrim, kurse tani, Raveli i përmbysur po ngjallet në Shqipëri. Artisti s’e do artistin tjetër, s’e njeh si vlerë, s’e respekton. Se ndodh që të këndojë me ty në skenë, pastaj pesë minuta më vonë nuk të njeh fare. Tmerr i madh. Por Raveli i përmbysur fle tek juritë. Ato se ç’kanë një djallësi që ju delnë pah pa u krijuar mirë. Një juri me artistë të njohur është një skëterrë në Shqipëri. Ajo, sapo krijohet fillon të mendojë se mos i rëshqet nga dora skeptri apo lavdia që ka pasur. Dhe fiks në këtë kohë, shpiket “bomba” që duhet ta gjejë me patjetër një shënjestër, mundësisht sa më të talentuar, dhe që kanë frikë mos pëlcet vetë shënjestra ende pa u sosur lavdia e tyre. Tmerr që s’ka ngushëllim. Kam parë dhe jetuar këtë skëterrë, i kam dëgjuar me veshët e mi ata që skepticizmin e nxjerrin përpara meritës që duket, dhe pastaj pas tij, del goditja, që s’pyet se ku bije. Kam njohur artistë që nuk janë më, dhe që kanë pësuar sindromën e Ravelit të përmbysur. Janë ata për të cilët s’u interesua kush në të gjallë t’i nderonte, le më t’i kushtonte dikush diçka. Miku im artist që ka ikur sëfundi drejt jetës tjetër, ishte vrarë pa kthim nga sindroma e Ravelit të përmbysur, nga indiferenca, nga mos-kokëçarja, dhe kjo tragjedi i qe shkaktuar pikërisht nga vatra e artit, ku zjarrtarët e tij, artistë dhe ata, i harxhuan të gjitha ashklat që djegja e talentit të ishte e plotë. Modeli i Ravelit duhet të qe një pikë referimi për artistin shqiptar, kjo edhe se ne jemi një vend i vuajtur, dhe pikërisht vuajtja, si mëma e dhimbjes duhej të na bënte më të mirë, por ndodhi e kundërta. Raveli i përmbysur fle tek juria plot me artistë, të cilët nuk e duan artin që bën kolegu i tyre jashtë tyre. Raveli i përmbysur flirton me të keqen, aq shumë sa kanë filluar edhe lutjet që le të shpresojmë që artisti x nuk vjen në audicion që t’i zëmë vendin. Raveli i përmbysur fle dhe s’ka ndërmend të zgjohet prej të famshmëve që e duan triumfin vetëm për vehte, dhe edhe nëse e meritojnë, as tentojnë ta ndajnë me kolegun e tyre të talentuar, ndoshta më shumë se ata. Ja pra ku jemi, duke vajtuar për modelin e Ravelit më këmbë, i cili shkroi koncert për kolegun pianist që humbi dorën e djathtë, pikërisht dorën që luan melodinë. Pa më thoni tani: A shkruan dot ndonjë “i famshëm” në Shqipëri, ndonjë artikull, ose poezi, ose ndonjë citat, për një koleg i cili e mat skenën me vështirësi me ndihmën e të tjerëve? A ka ndonjë të famshëm këtu, që të marrë mundimin t’i japë një çertifikatë mirënjohjeje një talenti të madh? Jo, asgjë. Raveli i përmbysur fle tek të gjithë, sidomos tek të famshmit, të cilët e kanë ngushtuar shumë olimpin, pothuajse sa për vehte, dhe s’kanë lënë vend për të tjerët. Po vijmë në kohën e zbulesës. Ke dëshirë të thuash se duhet të qëndrosh larg festivaleve, sepse të tremb juria e “të famshmëve” që ka rënë në dashuri me Ravelin e përmbysur. Edhe pak, dhe zbulesa do të na kapë, sepse si shpjegohet që ke dëshirë të thuash se konkursi i rremë po e shkatërron artistin, më shumë se një sëmundje që të vjen nga lart. A thua është e vërtetë natyralisht, jo filozofikisht se Niçe kishte të drejtë për vdekjen e Zotit? Mbase jo, por kam frikë, se po. E kam parë vetë, se si një artist i njohur kërkon një fije peri, një fjalë sa një fije peri të kapet fort, se ndoshta qëndron aty, dhe krijon pak art talenti, aqsa t’i thotë vehtes artist. E padurueshme, e papërballueshme, që të shohësh një artist të regëtijë vetëm e vetëm se ca “të famshëm” vdesin për tu gdhendur nëpër lapidarë? O tempora o mores.
Moris Ravel, më fal, më fal sa jeta që aktin tënd fisnik, që të ngjallje një koleg artist nga humbja fatale, e gdhende në histori, kurse unë pamëshirë, të bëra të flesh përmbys, në Shqipëri!