Britania dhe Franca kanë regjistruar shifra rekord rastesh të reja me COVID-19, që nga nisja e pandemisë.

Franca shënoi më shumë se 16 mijë raste në 24 orët e fundit, sipas autoriteteve shëndetësore, ndërsa Britania 6632, një rekord i ri për vendin.

Numri i të vdekurve në Francë për 24 orët e fundit ka qenë 52, ndërsa në Britani 40.

Italia po ashtu ka shënuar rritje, por në nivele më të ulëta. Ditën e djeshme u regjistruan 1786 raste të reja, 146 më shumë se një ditë më parë. Ndërkohë, numri i testeve në Itali është shtuar dhe dje ka arritur nivel rekord, 108,019.

Numri i të vdekurve në Itali ka qenë 23 për 24 orët e fundi, tre më shumë se një ditë më parë. Rastet aktive, ndërkohë, janë 46,114.

Ajo që mbetet shqetësuese është fakti që në Francë është rritur ndjeshëm numri i personave që po marrin trajtim në spital. Në javën e fundit janë shtuar 4250 persona, 718 prej të cilëve në terapi intensive.

Si Franca, ashtu dhe Britania, kanë shtuar masat për ta ndaluar rritjen e infektimeve. Lokalet, pub-et dhe restorantet në Britani do të mbyllen në orën 22:00, ndërsa ata që nuk ofrojnë dot masat e sigurisë për COVID-19 janë mbyllur fare.

Edhe një herë, grumbullimi i njerëzve në turma është i ndaluar me ligj, dhe nuk lejohen më shumë se gjashtë persona që të rrinë bashkë, nga dy shtëpi të ndryshme.

Edhe në Francë janë mbyllur lokalet e restorantet në orën 22:00 dhe nuk lejohen grumbullimet e më shumë se 10 personave.

Marseja dhe ishulli Guadalupe janë kthyer në zona të kuqe, ku lokalet e restorantet mbahen mbyllur që nga e shtuna.

Europa numëron në total më shumë se 3 milionë të infektuar dhe 187,500 të vdekur, ndërkohë që në shkallë botërore pandemia ka marrë jetët e 972,221njerëzve dhe ka infektuar 31.6 milionë.