Ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj thotë se e ka kaluar çështjen e renditjes së tij si i 23-ti në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste dhe se për betejën e tij politike ishte i gatshëm ta pranonte edhe kandidimin si i 31-ti.

Në intervistë me gazetaren Ilva Tare në Euronews Albania, Xhafaj tha se e shihte me më shumë rëndësi “mundësinë për të marrë një tjetër mandat si deputet” dhe “për të vijuar betejën e tij politike” se sa “pozicioni”. Ai tha se do ta kishte pranuar “sfidën politike të 25 prillit” edhe “nëse do të ishte kandiduar i 31-ti”.

Do ta pranoja sfidën dhe ia thashë edhe kryetarit [Edi Ramës] në mbledhjen e kryesisë, që e pranoj këtë sfidë, të jem edhe i 23-ti në listë, edhe sikur të isha i 31-ti në listë, sepse për mua nuk ka rëndësi se kush jam, por se çfarë bëj […] kam nisur një betejë së cilës dua t’i shkoj deri në fund,” – u shpreh Xhafaj.

Pyetjes që rrodhi pas kësaj deklarate se cila ishte beteja e tij në politikë, Xhafaj iu përgjigj se “beteja për drejtësi”.

“Në emër të kësaj kauze isha i gatshëm të isha edhe i 31-ti në listë por të vazhdoja e të luftoja,” – tha Xhafaj duke nënvizuar se me sistemin e ri mund të votohet direkt kandidati. Për këtë ai u shpreh besimplotë se në rastin e Tiranës një person publik i njohur mundet ta kapërcejë numrin e votave për të marrë një mandat.

“[…] besoj se edhe në rastin tim, unë do ta kap [kuotën e nevojshme të votave], do ta tejkaloj dhe do të jem përsëri deputet i Kuvendit,” – këmbënguli Xhafaj.

Ish-ministri Xhafaj tregoi se pas njoftimit për renditjen si i 23-ti në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste kishte kërkuar shpjegime për logjikën e këtij vendimi.

Ai tha se shpjegimet i kishte marrë fillimisht nga Erion Veliaj, si drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Tiranës dhe më pas nga kryetari i PS-së Edi Rama.