Gazetarja Anila Hoxha tregon se Prokuroria kishte detyrim ta hapte sërish dosjen, bazuar në marrëveshjen e Strasburgut.

Pavarësisht se lajmi u shpërnda dje në media, Hoxha thotë se ka disa javë që çështja është rihapur.

“Në datën 3 prill, Prokuroria e Tiranës i ka deleguar policisë së Tiranës për disa veprime shtesë. Është rihapur hetimi, bazuar në ato kërkesa që prokuroria i ka kërkuar”.

Gazetarja shpjegon në “Open” se ekspertizat e bëra në prokurorinë amerikane kanë sjellë rezultate të rëndësishme për hetimin.

“Kujtoj se ekspertiza në plumb e Aleks Nikës është bërë në prokurorinë amerikane, madje ka pasur përgjigje, ku u tha se viaskat janë dëmtuar.

Ka pasur përgjigje edhe për kamerat e sigurisë, ku u vërtetua se ishte ndërhyrë në pamjet filmike, pas orës 12″.

Riinspektimi i plumbave në laborator, mund të rezultojë në të dhëna interesante, thotë gazetarja. Ndërkohë që, shton se nuk është vrasja e Nikës që ka mbetur pa zbardhur.

“Grupi i hetimit pret përgjigje, cili laborator është i gatshëm ka aparatura të tilla që të japë përgjigje. Nuk është vetëm vrasja e Aleks Nikës, është dhe e Hekuran Dedës. Fajtor janë vetëm Ndre Prendi dhe Agim Llupo. Ndërkohë, janë pa autor dhe 7 plagosje.

Prokuroria ka thënë se disa nga këto veprime konsiderohen të ezauruara. Në interes do të jetë riekspertimi i disa kamerave të sigurisë, por dhe drejtimi i qitjes së armës. Do të ishte me shumë interes zbardhja e disa planeve, nga ku është qëlluar.

Çdo hetim ka të papriturat e veta. Nuk dua të besoj se kjo mund të jetë një procedurë e radhës, mbetet për t’u parë nga hetimi.

Nëse disa të dhëna do të dërgohen në laborator, si në Gjermani, pavarësisht se nuk ka një përgjigje konkrete nga laboratori gjerman, mund të ketë rezultat pozitiv.

Janë kqyrur mbi 130 armë, ka shkresa që tregojnë se me cilat armë është qëlluar”, tha gazetarja.