Ish-presidenti amerikan Donald Trump nuk planifikon të krijojë një parti të re politike. Sipas tij një gjë e tillë do të ndante votat e republikanëve. Duke folur në Konferenca e Veprimit Politik Konservator në Florida, Trump tha gjithashtu publikisht për herë të parë se mund të garojë sërish për president në vitin 2024.

Ish-Presidenti i SHBA Donald Trump u shfaq të dielën si republikani dominues i vendit, me përpjekjen që partia të fitojë përsëri kontrollin e Kongresit vitin e ardhshëm dhe ndoshta të kandidojë vetë përsëri për presidencën në vitin 2024.

Ai mbajti të dielën pasdite një fjalim në Konferencën vjetore të Veprimit Politik Konservator në Orlando të Floridës, ku ishin mbledhur qindra republikanë, ndër më të flaktët e kësaj partie. Ky ishte fjalimi i tij i parë i rëndësishëm pas humbjes së presidencës ndaj demokratit Joe Biden.

“Qëndroj sot para jush për të deklaruar se rrugëtimi i jashtëzakonshëm që nisëm së bashku katër vjet më parë është shumë larg nga të qënit i përfunduar”, tha  Trump.

Por Trump gjithashtu afirmoi synimin e tij si figura mbizotëruese e partisë, duke e lënë të hapur alternativën për të kandiduar përsëri pas tre vjetësh për një mandat tjetër katër-vjeçar në Shtëpinë e Bardhë.

“Ku i dihet. Unë mund të vendos t’i mposht demokratët për herë të tretë”, tha ish-presidenti nën brohoritjet e të pranishmëve, duke përsëritur pretendimin e pa mbështetur në fakte se i kishte fituar zgjedhjet e nëntorit 2020.

Ai argumentoi se partia është “e bashkuar”, pavarësisht disa ligjvënësve republikanë që thonë se ata duhet ta anashkalojnë ish-presidentin, mandati i vetëm i të cilit përfundoi me protesta të pafrytshme zgjedhore dhe me trazirat e 6 janarit në Kapitol. Ish-presidenti tha se ai nuk ka në plan të krijojë një parti të re për të garuar me Partinë Republikane dhe shtoi se njoftime të tilla janë “lajme të rreme”.

BETEJA BRENDA REPUBLIKANËVE

Një betejë po zhvillohet brenda Partisë Republikane, ku disa nga figurat e njohura si udhëheqësi i pakicës së Senatit Mitch McConnell duan që ta anashkalojnë zotin Trump, ndërsa të tjerë, si aleati i ish-presidentit, Senatori Lindsey Graham, besojnë se e ardhmja e partisë varet nga energjia e bazës konservatore pro-Trump.

Rezultatet e një sondazhi të kryer me pjesëmarrësit në konferencë, i dhanë Trumpit një mbështetje të fortë me 55 përqind, duke thënë se do të votonin për të në garën e emërimit presidencial republikan në vitin 2024. Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis doli në vendin e dytë me 21 përqind. Pa Trump, DeSantis udhëhiqte me 43 përqind mes kandidatëve të tjerë, të cilët numëronin shumë më pak vota.

Por jo të gjithë e mbështetën zotin Trump. Njëra pyetje e anketës ishte nëse Trump duhet të kandidojë përsëri në vitin 2024 dhe rezultati ishte i përzier: 68 përqind thanë se ai duhej të kandidonte ndërsa 32 përqind ishin kundër ose pa ndonjë opinion.

Deklaratat e zotit Trump në konferencë të paktën shërbejnë për të frenuar ndonjë kandidat tjetër të mundshëm republikan për 2024-ën, si senatorët Marco Rubio, Ted Cruz dhe Tom Cotton, ish-ambasadoren në Kombet e Bashkuara Nikki Haley ose të tjerë që aspirojnë presidencën.

SULME KUNDËR PRESIDENCËS BIDEN

Fjalimi i Trump përfshinte sulme kundër Presidentit Biden, në përpjekje për t’u pozicionuar si kritiku kryesor i presidentit të ri, në çështje të tilla si imigracioni dhe siguria përgjatë kufirit të SHBA me Meksikën apo rihapja e ngadaltë e shkollave të mbyllura për shkak të pandemisë.

“Të gjithë e dinim që administrata Biden do të ishte e keqe – por askush nga ne nuk e imagjinonte se sa e keqe do të ishte dhe sa larg do të shkonte”, tha ish-Presidenti Trump. “Joe Biden ka pasur muajin e parë më katastrofik se sa çdo president në historinë moderne,” tha ai.

Shtëpia e Bardhë e ka bërë të qartë se nuk do t’i kushtojë vëmendje fjalimit.

“Fokusi ynë sigurisht nuk është në atë që thotë Presidenti Trump” në konferencë, u tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki javën e kaluar gazetarëve.

Sondazhet e hershme kombëtare tregojnë se votuesit i japin miratim të gjerë muajit të parë të zotit Biden si president, duke përfshirë edhe disa republikanë. Por ish-Presidenti Trump, edhe nëse refuzohet gjerësisht nga demokratët dhe një shumicë e të pavarurve, mbetet mjaft popullor mes shumë votuesve republikanë.