Ekonomia shqiptare u rrit me 17.9% në periudhën prill-qershor, falë një baze krahasuese të vitit të kaluar kur vendi ndodhej në karantinë dhe thuajse të gjitha sipërmarrjet ishin të mbyllura. Por jo të gjitha degët e ekonomisë po rimëkëmben me të njëjtin ritëm.

Teksa një rritje e tillë ishte e pritshme dhe çdo sektor duhet të raportonte rritje dyshifrore, të dhënat e INSTAT tregojnë se bujqësia jo vetëm ka prodhuar rritje, por ka bërë hapa prapa, duke u tkurrur me 0.6%. Kjo dëshmon se sektori që mban gati 1/5 e peshës së prodhimit kombëtar është zyrtarisht në krizë dhe se masa si rimbursimi i akcizës së naftës nuk kanë prodhuar rezultat.

Dega që shënoi rritjen më të fortë ndërkohë është ndërtimi, falë procesit të rindërtimit pas tërmetit dhe bumit të lejeve; ndjekur nga industria nxjerrëse, përpunuese dhe energjia, falë rritjes së çmimit të karburanteve, metaleve dhe energjisë elektrike.

Sinjale shumë pozitive vijnë ndërkohë nga sektori i informacionit dhe komunikacionit, që pavarësisht se në pandemi nuk pësoi krizë, por madje ishte një ndër fituesit e mëdhenj së bashku me shëndetësinë private; edhe në këtë fillimvit vazhdon rritjen, për të dëshmuar se ndryshimet teknologjike që solli pandemia do të mbeten të pranishme në vendin tonë.

Edhe për pjesën e mbetur të vitit ekonomia shqiptare pritet të regjistrojë rritje, falë krahasimit me vitin e krizës, teksa objektivi i qeverisë është për rritje mbi 5.5%.