Cristiano Ronaldo, një nga futbollistët më të mirë në histori, është duke përjetuar sezonin e tij më të errët teksa nuk po gjen hapësirë as për të qenë titullar te skuadra e Manchester United.

Për këtë situatë të yllit portugez ka folur ish-shoku i tij i ekipit te Djajtë e Kuq, Rio Ferdinand. Ai është shprehur se Ronaldo është në një gjendje të vështirë dhe sipas tij nuk po luan për dy arsye. Së pari, ai nuk kreu fazën përgatitore me skuadrën. Së dyti, Rashford po kalon një formë të shkëlqyer.

“Cristiano nuk zhvilloi fazë përgatitore. Kemi edhe Rashfordin që po shënon dhe po dhuron shumë asiste. Këto janë arsyet pse Ronaldo nuk po luan. Mos të harrojmë që skuadra është më e rëndësishme se çdo individ.

E di që Cristianos i ka ikur truri me këtë situatë që është krijuar, një tip si ai që ka arritur kaq shumë në futboll nuk mund të jetë i kënaqur kur nuk i realizon qëllimet dhe objektivat e veta.

Por, Ronaldo është një profesionist ekzemplar dhe patjetër do të jetë i fokusuar kur t’i vijë momenti, do e shfrytëzojë shansin e tij”, tha Ferdinand.