Mosha për aktorin Robert De Niro është thjesht një numër. Së shpejti ai do të jetë pjesë e një tjetër projekti kinematografik. Në krah të tij do të interpretojnë edhe aktorë të tjerë të njohur përfshirë këtu edhe aktorin e ri britanik John Boyega. “The Formula” do të jetë filmi më i ri i realizuar nga kompania Netflix regjinë e së cilit do ta bëjë Gerard McMurray.

Filmi e rrëfen historinë e pilotit të talentuar të garave “Formula 1”, i portretizuar nga Boyega, i cili detyrohet të shndërrohet në shofer të disa kriminelëve, në mënyrë që ta shpëtojë familjen e tij. Boyega së fundmi luajti në serinë e famshme të filmave antologjikë të Steve McQueen. Ai më parë ka interpretuar edhe filmin Red, White and Blue.

McMurray është duke e shkruar skenarin, do ta bëjë regjinë e filmit si dhe do të shërbejë si producent i tij. Puna rreth realizimit të filmit “The Formula” do të fillojë deri sa Boyega dhe De Niro, t’i përfundojnë projektet në të cilat janë duke punuar aktualisht.