Shkencëtari amerikan që krijoi robotin e parë të gjallë, thotë se organizmi ka arritur të vetëriprodhohet.

I quajtur Ksenobot, me madhësinë e një fare, ose më pak se 1 milimetër, ky robot me inteligjencë artificiale është ndërtuar nga qelizat staminale të një bretkose afrikane Ksenopus laevis, prej nga ka marrë edhe emrin. Së fundmi, skuadra shkencore e përbërë nga anëtarë të Universitetit të Vermonitit dhe të Harvardit, zbuluan se këto organizma janë në gjendje të “sjellin në jetë” Ksenobotë të vegjël. Ndërsa këto krijesa të reja arrijnë gjithashtu të riprodhohen.

“Robotët, të cilët ngjasojnë me Pac-Man, lëvizin rreth enës ku ndodhen, gjejnë qeliza të vogla dhe i shtyjnë drejt njëra-tjetrës, duke formuar fëmijë më të mëdhenj dhe më të fuqishëm”, shpjegoi Joshua Bongard, ekspert i robotikës në Universitetin e Vermontit. Sipas tij, kjo mënyrë riprodhimi ishte tërësisht e re, ndryshe nga ato që ndodhin në botën e bimëve apo të kafshëve.

Ai shtoi se në të ardhmen, Ksenobotët mund të përdoren në mjekësi, edhe pse çdo përdorim i tyre do të duhet të rregullohet me ligj, për shkak se janë krijuar nga qeliza kafshësh.

Edhe pse ideja e një roboti që mund të vetëriprodhohet mund të përbëjë shqetësim, kërkuesit thanë se këto makina të gjalla janë të gjitha të mbyllura brenda një laboratori dhe zhduken shumë lehtë, për shkak se i gjithë aktiviteti është i rregulluar nga një kod etike.

Kërkimi në fjalë është financuar pjesërisht nga Agjencia e Projekteve të Përparuara të Mbrojtjes, një agjenci federale amerikane që mbikëqyr zhvillimin e teknologjisë për përdorim ushtarak. “Nëse përfitojmë nga kjo aftësi e këtyre qelizave mund të zgjidhim shumë probleme”, tha Bongard.

Studimi u publikua në revistën shkencore “PNAS” të hënën.