Një 36-vjeçare shqiptare është arrestuar nga policia në Itali pasi konsiderohet si “koka” e trafikut të drogës mes Monzës dhe rrethinave të Milanos.

Ajo ishte fotografuar shpesh në krah të politikanëve lokalë të Legës së Veriut duke shpërndarë edhe foto të shumta në rrjetet sociale ku ishte shfaqur edhe me Mateo Salvini. Jona Mullaraj kishte për detyrë të ruante një ngarkesë për 450 kg lëndë narkotike gati për t’u trafikuar.

Ajo dyshohet se është tradhtuar nga bashkëpunëtori i saj i cili ka sinjalizuar policinë se ka ndodhur një grabitje në një zonë të Milanos. Sapo kanë mbërritur në Cesano Maderno, në Brianza karabinierët kanë zbuluar lëndën narkotike.

Mediat italiane bëjnë me dije se bashkëpunëtori i saj kishte sajuar grabitjen me ndihmën e një personi tjetër. Sapo roja i godinës vuri re thyerjen e derës thirri policinë.

Pasi mbërritën në vendin për të cilin ishin sinjalizuar karabinierët ndjenë erën e fortë të hashashit që vinte nga brenda ndërtesës. Më pas ata kontrolluan banesën e 45-vjeçarit ku zbuluan 80 kg lëndë narkotike.

Blutë thelluan hetimet duke zbuluar një tregti të hashashit në zonën e Milanos i dokumentuar me video dhe përgjime. Pjesa më e vështirë ishte arritja deri tek Mullaraj i cili njihet nga pronari i garazhit si gruaja që vinte për të marrë çelësat.