Për 75 vite kishte jetuar në Shtetet e Bashkuara, në një përditshmëri normale, anonime. Por fantazmat  e një prej episodeve më të errëta të historisë iu rikthyen Friederich Karl Berger, si në netët e ftohta të vitit 1945.

Departamenti i Drejtësisë amerikane ka deportuar në Gjermani 95-vjeçarin Berger, pasi dëshmoi se gjermani kishte qenë në vitin 1945 një nga rojet e kampit të përqendrimit nazist të Neuengamme, në afërsi të Meppen.

Kampi i përqendrimit i Neuengamme

Kampi famëkeq mbante më së shumti të deportuar rus, holandez dhe polak me origjinë hebraike, por edhe shumë disidentë të regjimit. Kushtet e kampit në vitin 1945 përshkruheshin nga forcat anglo-amerikane që e liruan në mars të atij viti  si dramatike, ku të dënuarit detyroheshin të punonin në kushte ekstreme, deri në vdekje.

Të dënuarit në Neuengamme detyroheshin të punonin në kushte ekstreme, deri në vdekje

“Pas 75 vitesh, kjo është qesharake, po më dëboni nga shtëpia ime”, deklaroi gjatë gjyqit Berger, që është mbrojtur duke thënë se në atë kohë ishte thjesht një djalosh 19-vjeçar që u detyrua të punonte aty, por hetuesit provuan se ai kishte kërkuar vetë transferimin në kamp.

Friederich Karl Berger, 95 vjeç

Berger është nazisti i 70 i deportuar nga Shtetet e Bashkuara, ku ishin fshehur pas luftës së dytë botërore, me identitete shpesh herë të rreme. Në SHBA, sipas amendamentit Holtzman, çdo pjesëtar i persekutimeve naziste, në çfarëdolloj forme, duhet të dëbohet nga vendi.