Qindra zogj janë gjetur të pajetë në rrugët e Romës pas hedhjes së fishekzjarrëve së fundvitit, ndërsa grupet për të drejtat e kafshëve e kanë cilësuar ngjarjen si “masakër”.

Në disa pamje të postuara në rrjete sociale në stacionin qendror të kryeqytetit italian duken disa dhjetëra zogj “të shtrirë në tokë të pajetë”.

Shkaku i vdekjes nuk është konfirmuar ende, por Organizata Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Kafshëve (OIPA) tha se mund të ketë ardhur si pasojë e zhurmës së lartë të shkaktuar nga kapsollat dhe fishekzjarrët në disa prej zonave ku zogjtë ngrenë foletë e tyre.

“Mund të kenë ngordhur nga frika ose atak në zemër”, thotë Loredana Diglio, zëdhënëse e organizatës.

Shfaqjet e zjarrfikësve mund të shkaktojnë dëmtime si për kafshët e egra ashtu edhe ato shtëpiake, theksoi Diglio.

Dega italiane e OIPA ka bërë thirrje për ndalimin e shitjeve të kapsollave dhe fishekzjarrëve nga qytetarët, duke përdorur si argument dëmtimin që i bëhet kafshëve.