Ka fituar Kupën e Botës, kampionatin gjerman, Kupën e Anglisë dhe ka një karrierë 18-vjeçare për t’u pasur zili. Por Lukas Podolski po e realizon vetëm sot, në moshën 36-vjeçare, ëndrrën e tij më të madhe.

Ish-sulmuesi i Gjermanisë do të debutojë të dielën në mbrëmje për klubin për të cilin ka bërë tifozeri në fëmijëri, Gornik Zabrze, në kategorinë e parë të kampionatit polak, duke mbajtur kështu një premtim të vjetër të bërë ndaj gjyshes.

Podolski u lind në qytezën polake Glivice, ngjitur me Zabrze-n, dhe pavarësisht se u largua për në Gjermani me prindërit, u rritur duke mbështetur Gornik, që vlerësohet gjerësisht si skuadra e dytë më e suksesshme në Poloni.

Ish-sulmuesi i Koln, Bayern, Arsenal e shumë skuadrave të tjera, mund të ketë luajtur 130 ndeshje me kombëtaren gjermane, por kurrë nuk i ka harruar rrënjët polake. Bashkëshortja e tij, Monika, është polake dhe fëmijëve u flasin polonisht. Lidhjet e tij me krahinën e Silesias ishin veçanërisht të forta për shkak se shkonte shpesh atje për të takuar gjyshen Zofia, gjithashtu tifoze e Gornik, si gjithë familja Podolski.

“Në Poloni na pëlqen Poldi dhe jo aq shumë Miroslav Klose. Të dy janë polakë, por Klose nuk ka folur kurrë për mediat polake, nuk fliste polonisht dhe ishte krenar kur këndonte Himnin gjerman”, tha për BBC gazetari sportiv Marek Wawrzynowski. “Podolski u fliste polakëve në gjuhën e tyre dhe nuk festoi kur i shënoi dy gola Polonisë në Euro 2008. Njerëzit e ndjenjë si njërin prje tyre”.

Në vitin 2012, disa muaj para se të kalonte tek Arsenal nga Koln, ai deklaroi: “I ndjek ndeshjet e Gornik ne televizor ose në internet dhe jam shumë i lumtur që kanë ndërtuar një stadium të ri. Ëndërroj të luaj atje”.

Drejtori sportiv i Gornik në atë kohë, Krzysztof Maj, gjithmonë e mirëpriste krahëhapur dhe të dy u bënë shpejt miq. Podolski i premtoi se në fund të karrierës do të luante për Gornik. Këtë premtim ia bëri edhe gjyshes Zofia, e cila priti me durim që të vinte dita.

Asnjëri prej tyre nuk jetoi dot për ta parë. Maj ndërroi jetë nga një atak në zemër në vitin 2015, kur ishte vetëm 39 vjeç. Ndërsa gjyshja e Podolskit vdiq në vitin 2019. Në atë kohë, ai shkroi në Instagram: “Kur isha i vogël luaja futboll me ty. Më bërë ky që jam sot. Gjithmonë besove tek unë dhe ëndrrat e mia dhe bashkë fituam medaljen e kampionit të botës”.