Viti 2020 nuk ishte një vit si gjithë të tjerët për Ronaldinjon, i cili ka kaluar 171 ditë mes burgut dhe arrestit të shtëpisë në Paraguai, por tani ish-kampioni brazilian mund të buzëqeshë. Imazhi i ish “Topit të Artë” duket se nuk është dëmtuar aq shumë dhe pas daljes nga burgu në gusht ai është impenjuar në aktivitete të ndryshme, që i kanë mbushur llogarinë bankare.

“El Pais” ka bërë një llogari, sipas së cilës Ronaldinjo ka fituar 5 milionë reales braziliane, që do të thotë rreth 780 mijë euro. Dinjo u ndalua në Paraguai bashkë me vëllanë me akuzën e falsifikimit të pasaportave. Ndeshjet e tij në burg me të dënuarit e tjerë u bënë menjëherë virale. Pastaj iu desh të pagunte rreth 160 mijë euro për të mbyllur çështjen dhe për t’iu kthyer jetës normale.

Ronaldinjo me fanellën e Brazilit

Dhe në fakt ai po përjeton një moment fantastik. Në shtator ishte në Belo Horizonte, pasi u kërkua nga një kompani e Minas Gerais për të promuvuar punët e kryera në stadiumin e Atletiko Mineiros, me të cilin braziliani ka fituar Kupën Libertadores në 2013-ën. Më pas u bë qytetar nderi dhe hapi edhe një studio muzikore. Videoja e realizuar me grupin “Recayd Mob” në projektin “Tropa do Bruxo”, ku Dinjo shfaqet i rrethuar nga femrat, ka kaluar 1 milion shikime në “YouTube” në më pak se një javë.

Ish-futbollisti ka krijuar edhe markën e tij të xhinit biologjik, që mban emrin “R-ONE”, si dhe verën e tij “Vino de Campeones”. Edhe bota e futbollit, edhe pse virtualisht, ka luajtur rolin e vet. Ish-lojtari i Barcelonës ka bërë një bashkëpunim me Pes dhe FIFA-n, duke krijuar skuadrën e tij, R10. Nuk mbaron me kaq, sepse ndër projektet e së ardhmes është edhe një film për jetën e tij.