Cristiano Ronaldo sërish në qendër të polemikave në Angli. Gjatë një eventi të FIFA-s, ylli portugez e ka përkufizuar si një ‘katastrofë’ rikthimin e tij te Manchester United.

Dashuria mes Manchester United dhe Ronaldos është një kujtim i largët. Rikthimi i portugezit te ‘Djajtë e kuq’ nuk e ka rindezur kurrë flakën e pasionit. Pas kërkesës për shitje, zënkës me trajnerin Erik ten Hag dhe vendimit të këtij të fundit për ta lënë jashtë skuadre pasi refuzoi të luante në minutat e fundit, një tjetër çështje ka shpërthyer në Angli.

Në një libër të ri, që pritet të botohet së shpejti, Cristiano Ronaldo ka diskretituar shokët e ekipit dhe klubin e Manchester United.

Disa tabloidë britanikë, si ‘The Sun’, kanë publikuar disa pjesë të librit në lidhje me rivalitetin mes Messit dhe Ronaldos.

Në pjesën e portugezit thuhet se ai ka kritikuar hapur klubin e tij aktual dhe shokët.

Ronaldo shprehet shumë i pakënaqur me rikthimin te Manchester United. Një transferim, që ka qenë i komplikuar për lojtarin, si për bashkëjetesën me ish-trajnerin Ralf Rangnick, ashtu edhe për administrimin e ‘Djajve të kuq’. CR7 ka folur për këtë çështje me një drejtues gjatë një eventi të FIFA-s.

Sipas portugezit, klubi anglez nuk ka përparuar në krahasim me eksperiencën e tij të parë në Manchester në 2009-ën edhe për sa u përket strukturave të stërvitjes. Jo vetëm kaq. Edhe në pikëpamjen teknike ai vë në shënjestër shokët e skuadrës, të cilët nuk janë në lartësinë e duhur edhe fizikisht.