Detaje të reja kanë dalë në skenë nga vrasja e Behar Sofisë në një nga zonat më të populluara në kryeqytet.

Policia ka mundur të zbardhë ngjarjen që tronditi Tiranën mëngjesin e 25 shkurti, duke vënë në pranga ekzekutorin, Ernejt Shyti, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Po ashtu në pranga janë vënë edhe Skënder Vathi, 54 vjeç, lindur në Arrameras, Fushë Krujë dhe banues në Tiranë, Leonar Xhixha, 30 vjeç, lindur dhe banues në Arrameras, Fushë – Krujë, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja me paramendim” ngelur në tentativë si dhe Xhuljano Visha, 28 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.

Gazetarja e ABC, Xhensila Kodra ka dhënë detaje nga rrëfimi i të riut Shyti që ekzekutoi biznesmenin Behar Sofia. Ekzekutori mësohet se ka pranuar krimin, ndërkohë që ka thënë se organizator i këtij krimi ishte i arrestuari Skënder Vathi, nga i cili do të merrte edhe një shumë parash për vrasjen e biznesmenit Sofia.

Nga ana tjetër, pavarësisht provave të mbledhura tre të arrestuarit e tjerë nuk e kanë pranuar përfshirjen në këtë krim.

Në rrëfimin e 24-vjeçarit që ekzekutoi Behar Sofinë, thuhet se Skënder Vathi i ka dhënë atij edhe një foto të ‘objektit’, pra të biznesmenit Behar Sofia, të cilin duhet të eliminonte.

Nga ana e saj, policia mësohet se ka disa persona nën hetim si të dyshuar si porositësit e ngjarjes, por edhe nuk është arritur që të dokumentohet për shkak të mungesës së provave.