Tifozët gjermanë nuk do të lejohen të marrin pjesë në ndeshjen e të martës në “Wembley” ku kombëtarja e tyre do të luajë kundër Anglisë për një vend në çerekfinalet e Kampionatit Europian.

Në stadiumin madhështor në Londër do të lejohet të ndjekin takimin vetëm 45 mijë persona, nga 90 mijë që është kapaciteti, por ata do të jenë vetëm anglezë. Kjo, për shkak të rregullave antiCovid të vendosura nga të dy qeveritë.

Anglia kërkon karantinim 5-ditor për këdo që hyn në vend nga një shtet tjetër, që do të thotë se kushdo që do të kishte dashur të shihte ndeshjen, duhet të ishte nisur që të enjten. Për më tepër, vetë Gjermania ka një rregull strikt për karantinim 14-ditor për këdo që hyn në vend nga Mbretëria e Bashkuar, pavarësisht nëse i ka marrë të dy dozat e vaksinës apo jo. Vendimi është marrë për të shmangur përhapjen e variantit “Delta” të koronavirusit.