Projektbuxheti 2021 i ka kushtuar vëmendje të veçantë reformës në drejtësi, duke përcaktuar 4 milionë euro për SPAK dhe BKH. Ky buxhet vjen me rritje, pasi pritet që “FBI-ja shqiptare” të bëhet funksionale në muajin janar.

Dy organet më të reja të drejtësisë, Struktura e Posaçme Anti-korrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, gjatë këtij viti kanë marrë 371 milionë lekë, mbështetje buxhetore. Institucioni i drejtuar nga Aida Hajnaj pritet të nisë punë zyrtarisht në janar 2021, por sa do të kushtojë hetimi dhe gjykimi brenda dyerve të SPAK dhe FBI-së shqiptare?

Në relacionin e buxhetit shkruhet se Reforma në Drejtësi, do të marrë një mbështetje të konsiderueshme buxhetore. Në vlerë monetare kjo mbështetje është caktuar 500 mln lekë, ose 4 mln euro. Edhe për vitet 2022 e 2023 vlerësohet që buxheti të jetë pranë kësaj vlerë.

Në relacionin e Buxhetit, Byroja e Hetimit nuk përmendet në asnjë paragraf, por shfaqet vetëm në tabelën ku parashikohet organika e numrit të punonjësve. Aty referohet se të dy institucionet do të kenë së bashku 164 punonjës, ose 64 më shumë se këtë vit.

Sa i përket shpenzimeve, fondi i pagave llogaritet në 342 milionë lekë, ndërsa për blerje automjetesh dhe pajisje për zyrat në dispozicion do të vihen 20 milionë lekë.

Megjithatë diskutimet për projektbuxhetin 2021 sapo kanë nisur në Komisionet e Kuvendit dhe mbetet për t’u parë nëse drejtuesit Arben Kraja dhe Aida Hajnaj, do të bien dakord apo do të kërkojnë fonde shtesë.