Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi ndaj kryeministrit Edi Rama, pas deklaratave të këtij të fundit, i cili u shpreh se qeveria ka shpallur krizën energjetike dhe të shtunën do të prezantohet plani për të përballur këtë situatë.

Basha mohoi krizën, duke theksuar se bëhet fjalë për krizë korrupsioni, keqmenaxhimi, me shkak dhe me plan.

Basha shprehet se Shqipëria nuk ndikohet në nivele të tilla nga kriza ndërkombëtare energjetike. Por sipas kryedemokratit, kryeministri Rama ka në plan të rrisë çmimin e energjisë dhe tashmë po përgatit kushtet duke bindur qytetarët.

“Kur tellalli i të keqes doli për të nxitur frikë dhe ankth ishte shtimi i kushteve të presionit te njerëzit, për atë që ai planifikon të bëjë, rritjen e çmimit të energjisë. Sot foli jo si një kryeministër, por si një avokat i klientëve me të cilët po ndan si plaçkë dhe resurset. Qëllimi i tij i vërtetë është krijimi i kushteve psikologjike tek njerëzit për atë që ai planifikon të bëjë për rritjen e çmimit të energjisë.

Nuk ka asnjë paralelizëm mes asaj që po ndodh në Shqipëri dhe situatës së përkohshme në Europë.

Edhe përpjekje për t’i qarë hallin kalorësit, për të justifikuar atë që ai ka në plan të bëjë me çmimin e energjisë është një teatër mashtrimesh, për t’iu gënjyer, për të bërë të duket se rritja e çmimeve është e pashmangshme.

Në fakt, nuk është kështu. Nuk është një krizë energjetike, por një krizë korrupsioni, keqmenaxhimi, me shkak dhe me plan. Ne verë shesin me çmim të ulët energjinë e prodhuar nga uji dhe e blejnë me tre apo katërfish pak muaj më vonë në tendera korruptive. E kam thënë se OSHEE dhe KESH janë ndërmarrje të zhytura në korrupsion”, u shpreh Basha.

Për kreun e opozitës, “Rama do ta përdorë këtë fatkeqësi njësoj si fatkeqësitë e tjera për të mbushur gropat që ka hapur në buxhet”.