Nisur nga rritja e numrit të personave që kanë ndërruar jetë për shkak të COVID-19 në ditët e fundit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, nëpërmjet një mesazhi, i është drejtuar qytetarëve për t’u vaksinuar, duke e quajtur mënyrën më të shpejtë për t’iu afruar fundit të pandemisë.
“Mos e neglizhoni vaksinimin duke dëgjuar broçkullat e kujt nuk ka as edhe një minimum humanizmi dhe përgjegjshmërie. Sfida që disa i bëjnë shkencës dhe mjekësisë, refuzimi për të pranuar mendimet e ekspertëve më të mirë në Botë, që thonë se vaksina është arma më e fuqishme që ka sot njerëzimi, është një mendjelehtësi që ka pasoja të rënda,” apeloi Manastirliu.
Duke u ndalur tek situata në spitale, Ministrja e Shëndetësisë tha se shumica dërrmuese e të shtruarve janë të pavaksinuar.
“Edhe pse shifrat e infeksioneve të shkaktuara nga Covid-19 kanë pësuar një ulje të lehtë në ditet e fundit, për fat të keq, e njëjta gjë nuk ka ndodhur me fatalitetet. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve në spitalet tona Covid, shumë qytetarë nuk kanë mundur të fitojnë betejën për jetën. Sipas raportimit nga spitalet COVID 95 % e rasteve shtrimeve në spital janë të pavaksinuar. Po kështu shumica dërrmuese e viktimave në Spitalet Covid, janë jetë njerëzish që e humbën luftën, për shkak të mosvaksinimit”,shtoi Manasirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha se të dhënat e rasteve të prekura, na tregojnë efikasitetin e vaksinave anticovid.Manastiliu tha se fakti që në të dhënat javore incidenca e sëmundjes është tepër e lartë tek të pavaksinuarit, si matje rezulton 20-30 herë më e lartë, tregon efektin domethënës të vaksinave.
Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,693,555 doza të vaksinës ndaj Covid-19, ndërsa 760,960 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës.