Janë rritur në mënyrë ekstreme rastet e koronavirusit në Mbretërinë e Bashkuar, ku për të dytën ditë radhazi janë raportuar numër rekord rastesh të reja. Sipas një shefit të Shendetësisë, të cituar nga BBC, kjo rritje është shqetësuese në ekstrem.

Të martën u regjistruan 53,135 raste të reja me Covid, si dhe 414 viktima të tjera.

Edhe pse jo të gjitha të dhënat u raportuan plotësisht gjatë periudhës së Krishtlindjes, duke patur vonesa në disa të dhëna, Shëndeti Publik Anglez tha se kishte pasur një “rritje të vërtetë”.

Sekretari i shëndetësisë tha se shërbimi shëndetësor anglez po përballej me “presione të papara”.

Përpara njoftimit për çdo ndryshim në kufizimet e nivelit të Anglisë të mërkurën, Matt Hancock shtoi në Twitter: “Ne duhet t’i japim fund këtij virusi për të mbrojtur NHS tonë dhe për të shpëtuar jetë derisa vaksina të na mbajë të sigurt”.

Spitalet në Angli dhe Uells tani po trajtojnë më shumë pacientë me Covid sesa në kulmin e valës së parë në Prill.

Fauci: Përhapja e infeksioneve në SHBA e pakontrollueshme, janari i rrezikshëm

Situata e përhapjes së pandemisë në Shtetet e Bashkuara po bëhet e pakontrollueshme. Alarmin e jep Anthony Fauci, një nga figurat mjekësore më të njohura në botë pas shfaqjes të COVID-19 në fillim të vitit.

Sipas tij, muaji janar mund të japë të dhëna shumë herë më shqetësuese, si pasojë e veprimeve të popullsisë gjatë periudhës së festave.

“Rreziku, është që rritjes së infeksioneve të tanishme t’i shtohen efektet e festave të fundvitit. Kur i lejohet popullsisë të udhëtojë, të darkojë në një ambient të mbyllur, atëherë problemet janë të mëdha. Shpresoj që mos të ndodhin, por më duket pothuajse e pamundur”, u shpreh i shqetësuar virologu amerikan, drejtor i Institutit amerikan për sëmundjet infektive.

Fauci kritikoi administratën Trump për vonesën në fushatën e vaksinimit. Sipas përllogaritjeve, brenda vitit do të duhet të ishin vaksinuar rreth 20 milionë amerikanë, por vendi është ende larg kësaj shifre.