Një grup kriminal është shkatërruar nga autoritetet policore në Shkodër, pas një operacioni të koduar “Rrjeta”. Mësohet se në pranga kanë rënë katër persona, kushërinj me njëri-tjetrin.

Halis Uraj, 30 vjeç, banues në Shkodër, Mustafa Uraj, 26 vjeç; Arjan Uraj, 36 vjeç dhe Mehmet Uraj, 72 vjeç të tre banues në fshatin Mes, Shkodër, janë personat që janë vënë në pranga këtë të diel.

Ata u kapën gjatë operacionit që u realizuar në Postribë në momentin e shkëmbimit të lëndës narkotike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 14 litra vaj hashashi; 65.6 gramë lëndë narkotike në formë çokollate; një armë gjahu, një sasi fishekësh, një sasi parash, 6 aparate celulare dhe 1 automjet.

Policia, së bashku me prokurorinë po punojnë për evidentimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.