Ditët e fundit është hapur një debat mbi katet e ndërtuara pa leje të pallateve shumëkatësh në qendër të kryeqytetit. Të gjithë diskutojnë rreth kateve shtesë: pse janë jashtë lejes? Pse janë lejuar nga shteti? Pse nuk janë paguar taksat, në se legalizohen?; pra i merr qeveria në interes publik… Pse nuk janë denoncuar në prokurori ndërtuesit etj.

Jam dakord me të gjitha, por rendi i diskutimit duhet të nisi nga siguria e jetës së njerëzve që do i përdorin ato.

A janë llogaritur kostruktivisht themelet për të mbajtur katet shtesë?

A siguron qëndrueshmëri në tërësinë e saj ndërtesa? Nëse qeveria i konfiskon apo ndërtuesi ja dorëzon qeverisë katet shtesë për interes publik, sigurohet qëndrueshmëria?

Qeveria nuk thotë asnjë fjalë për qëndrueshmërinë e tyre që ka të bëjë me sigurinë e jetës së qytetarëve.

Qeveria e shikon zgjidhjen e çështjes thjesht ku shkojnë lekët e fitimit dhe mjaft të jetë ajo pjese e fitimit dhe enturazhi i saj pjesë e ryshfetit dhe gjërat rregullohen(!!!)…

Në se ato kate pa leje shtesë të rrokaqiejve në Tiranë janë llogaritur paraprakisht si pjesë e llogaritjeve konstruktive të tyre, si është e mundur që ndërtuesit e dinin që qeveria do i lejonte t’i realizonin? Kjo do të thotë se ka një marrëveshje të heshtur midis qeverisë dhe oligarkëve që para se të fillonte ndërtimi. Ky është rasti më i mirë që nuk e përçmon autoritetin e qeverisë nga oligarkët.

Rasti tjetër nëse vërtet nuk ka marrëveshje, do të thotë se kemi një Qeveri që e gjuajnë me shkelma në prapanicë, oligarkët nëse bezdisen dhe zotët mbi këtë vend janë vetë oligarkët dhe jo qeveria e mandatuar, pra jo qytetarët.

Në Durrës afër ish-Vollgës është një pallat që ka pa leje disa kate. Ai nuk i ka ende të banueshme ato kate sepse njerëzit nuk mund të rrezikojnë.

Po në rrokaqiejt e Tiranës do jenë të banueshme.

Sipas meje, Qeveria duhet të garantojë se rrokaqiejt janë të qëndrueshëm dhe pastaj të na mbushi mendjen se ajo nuk i pa që ndërtoheshin pa leje sikur të ishin ndërtuar brenda një nate dhe jo brenda shumë muajve.

Leja e ndërtimit presupozon qëndrueshmërinë dhe ndërtimin sipas kushteve teknike europiane të Projektimit dhe Zbatimit, prandaj duhet respektuar.

Dr.Ing. Artur Roshi