Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, pretendon se mercenarë nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnje-Hercegovina po rekrutohen për t’u dërguar në Donbas, krahinën e Ukrainës të ndarë mes qeverisë së Kievit dhe separatistëve të mbështetur nga Moska.

“Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe të gjithë liderët e NATO-s thonë se aleanca ka synim mbrojtjen. Presidenti Putin i kujtoi atij se NATO kishte bombarduar Jugosllavinë në vitin 1999. Scholz tha se NATO ndërhyri për të parandaluar një gjenocid dhe se sot ai rajon po lulëzon”, tha Lavrov në një intervistë për “Russia Today”.

“Por rajoni është shumë larg lulëzimit. Kosova dhe pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor po bëhen baza të krimit. Atje ka terroristë, trafikantë droge. Është një bazë rekrutimi për mercenarë që marrin pjesë në konflikte të nxitura nga shtetet e Bashkuara. Ka informacione se mercenarë nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina po rekrutohen për t’u dërguar në Donbas, dhe vende të tjera, në mënyrë që të çekuilibrojnë Rusinë. Po i verifikojmë këto informacione tani”, tha ministri i Jashtëm rus.

Ai shprehu keqardhje që Kievi nuk pranon të diskutojë drejtpërdrejtë me separatistët e krahinave të vetëshpallura autonome në Donjeck dhe Luhansk, për t’i dhënë fund luftës civile.

Në fillim të muajit, Moska u informua nga shërbimet inteligjente të separatistëve të mbështetur prej saj në këtë krahinë, për praninë e mercenarëve britanikë dhe polakë.

Krahina e Donbasit, bashkë me atë të Luhanskut, është një prej epiqendrave të konfliktit mes Ukrainës dhe Rusisë, të nisur prej vitit 2014, kur Moska aneksoi edhe Gadishullin e Krimesë.