Rusia nuk e ka gëlltitur mirë fyerjen sipas saj që iu bë nga qeveria shqiptare me dëbimin e një diplomati nën argumentimin e thyerjes së masave anti-CoVid-19. Përmes faqes së vet në Facebook, ambasada ruse në Tiranë përcjell një qëndrim të zv.ministrit të Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Aleksandër Grushko që paralajmëron se ky akt nuk do të kalojë për reagim.

“Moska ka pritur me hidhërim të madh vendimin për dëbim të diplomatit rus nga Tirana. Ky është një provokim i qartë që synon përkeqësimin e marrëdhënieve ruso-shqiptare dhe, natyrisht, ky hap jomiqësor nuk do të mbetet pa përgjigje. Një nga parimet themelore në diplomaci është reciprociteti, dhe askush nuk e ka hequr atë”, citohet zv. ministri rus.

Këtij mesazhi sot ambasada ruse i ka shtuar edhe një koment të Ministrisë së Punëve të Jashtme për një deklaratë të Ramush Haradinajt, duke zbuluar një qëndrim të Moskës që nuk e konsideron shtet Kosovën.

“Kohët e fundit një nga politikanët shqiptarë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se synon të kërkojë mbajtjen e një referendumi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, nëse ky pseudo-shtet i vetëshpallur nuk pranohet sa më shpejt në Bashkimin Evropian dhe organizatat ndërkombëtare si dhe Beogradi nuk do të njohë “pavarësinë” e Kosovës. Këtu po bëhet fjalë për një provokim të radhës, të implikuar në ideologjinë e Shqipërisë së Madhe, e cila kohët e fundit ka përparuar gjithnjë e më intensivisht në rajon dhe kërcënon drejtpërdrejt integritetin territorial të shteteve të Ballkanit. Shantazhi politik është i papranueshëm dhe pikërisht kështu duhet të interpretohet fjalimi i R. Haradinajit, i cili me lehtësi propozon të rishikojë në mënyrë arbitrare kufijtë në Ballkan”, thuhet në njoftim.

Në përgjithësi ambasada ruse ka folur gjithmonë me gjuhën e ftohtë diplomatike për një çështje të tillë, por mesa duket në Moskë kohët e fundit diplomacia është lënë mënjanë.