Sali Berisha dhe Ilir Meta firmosën sot marrëveshjen parazgjedhore të bashkëpunimit mes PD dhe PL për zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023.

Marrëveshja u konsiderua historike nga dy liderët, por kjo nuk është hera e parë që Berisha dhe Meta kanë patur bashkëpunime.

Gjatë konferencës për shtyp, ata u pyetën se sa e moralshme është kjo marrëveshje e re, kur në të shkuarën kanë bërë akuza të ndërsjellta.

Meta u përgjigj se kjo marrëveshje është më e ndershme se ajo e 17 majit mes Ramës dhe Bashës.

Ndërsa Sali Berisha tha se në politikë nuk ka interesa personale, por interesi politik është i jashtëzakonshëm.

Pyetje: Sot mendoj që është dita që duhet t’u jepni një sqarim demokratëve, ish-anëtarëve të LSI dhe më pas shqiptarëve për këtë aleancë tuaj të re. Sa e moralshme është aleanca juaj kur më 25 Prill, PD fajësonte anëtarët e LSI për humbjen e thellë përmes një raporti të bërë nga drejtuesit e PD. Nga ana tjetër, sa e moralshme është për shqiptarët një bashkëpunim i ri mes juve të dyve, përsa kohë z.Berisha kujtojmë se ju e akuzonit dikur Ilir Metën kur i kujtonit ngjalat kur ai bashkëpunoi me Edi Ramën, ndërkohë Ilir Meta si kryetar Parlamenti ju kujtonte djalin duke thënë se nuk jep më dorëheqjen për të.

Ilir Meta: Besoj se përmbajtja e marrëveshjes është ajo që u intereson qytetarëve të Shqipërisë dhe përmbajtja është dhënia fuqi atyre përmes referendumit, primareve dhe përmes shndërrimit të këshillave bashkiakë në parlamentet e tyre vendore për problemet dhe për shqetësimin e tyre. Është një marrëveshje që i shërben rikthimit të pluralizmit politik në vend. Në çdo rast pa asnjë diskutim është shumë e ndershme se sa marrëveshja e natës së 17 Majit që ende vazhdon sot për të minuar opozitarizmin në  Shqipëri.

Sali Berisha: Se çfarë thoshte deputeti Basha i mori me vete të gjitha ato që thoshte. Unë miqësisht do u sugjeroja që mos i nxirrni nga arkiva ato më, nuk shërbejnë. E vërteta është që edhe njëherë sa herë ta komentosh këtë marrëveshje do gjesh se kjo është marrëveshja e shkallmimit të regjimit të Edi Ramës dhe “groposjes” në Sharrë politikisht të një njeriu që shok për negativitete ka vetëm veten që kur është qeverisur Tirana për herë të parë nga shqiptarët e deri sot. Ndaj dhe dua ta shihni këtë, nuk po them me adhurim, por me shpresë dhe besim të madh si marrëveshjen e ndryshimeve që presin shqiptarët. Në politikë ka interesa politike të përgjithshme. Ata që udhëhiqen nga interesa personale gabojnë, gjithnjë është interesi i përgjithshëm. Interesi i përgjithshëm i kësaj marrëveshje është i jashtëzakonshëm.